Të dërguarit specialë të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, pritet të zhvillojnë vizitën e tyre të parë në Kiev në një lëvizje që synon të ringjallë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Sipas Financial Times, që citon burime të njohura me diskutimet në Shtëpinë e Bardhë, mundësia e kësaj vizite u diskutua gjatë takimit mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Në Kiev vizita shihet si një mundësi për të forcuar marrëdhëniet me administratën amerikane dhe për të siguruar mbështetje të re ushtarake nga Shtetet e Bashkuara gjatë mandatit të dytë të Trump. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi në një intervistë për Axios se Witkoff dhe Kushner mund të mbërrijnë në Kiev brenda dy javëve të ardhshme, duke e përshkruar këtë si një nga rezultatet konkrete të takimit të tij të fundit me presidentin amerikan.
Nëse vizita realizohet, ajo do të jetë e para e dy zyrtarëve amerikanë në Ukrainë, pas disa udhëtimeve që ata kanë zhvilluar më herët në Rusi. Zelensky tha se synon të diskutojë me ta mundësinë e rifillimit të bisedimeve të paqes me Rusinë dhe t’u tregojë nga afër situatën në terren dhe pasojat e luftës.
Sipas presidentit ukrainas, Witkoff dhe Kushner mbështesin një armëpushim që mund të krijojë kushtet për një proces diplomatik. Megjithatë, Zelensky u shpreh skeptik se presidenti rus Vladimir Putin do të pranonte një pezullim të luftimeve. Pavarësisht kësaj, ai ritheksoi se Ukraina mbetet e gatshme për të rifilluar negociatat e paqes me Rusinë, me synimin për t’i dhënë fund konfliktit që vazhdon prej më shumë se katër vjetësh.
Lajmi raportohet po ashtu nga Top Channel.

