Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë publikoi një listë preliminare me 13.227 emra të personave të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës. Në listë përfshihen ata që kanë lindur, jetuar ose pasur vendbanim në Kosovë gjatë luftës dhe që kanë pësuar plagë vdekjeprurëse, janë zhdukur në rrethana të lidhura me konfliktin, ose kanë humbur jetën si pasojë direkte e plagëve të marra. Sipas të dhënave të Institutit, 11.408 persona humbën jetën si rezultat i veprimeve të luftës — vrasje, ekzekutime, masakra, bombardime dhe forma të tjera dhune — ndër ta 1.047 fëmijë.
Raporti evidenton gjithashtu 1.578 raste të zhdukjes me dhunë që lidhen me rrethanat e luftës, ndërsa 241 persona kanë vdekur për shkak të plagëve të marra ose pasojave të drejtpërdrejta të konfliktit gjatë ose pas përfundimit të luftës. Dokumenti përmban listën preliminare të viktimave për periudhën 1 janar 1998–20 qershor 1999 dhe periudhën pasluftës 21 qershor 1999–31 dhjetor 2000.
Drejtori i Institutit, Atdhe Hetemi, njoftoi se lista do të përditësohet sipas vazhdimit të punës për dokumentimin e krimeve. Ai theksoi se pjesa më e madhe e viktimave — 92,5 për qind, ose 12.230 persona — u vranë gjatë periudhës kryesore të konfliktit, ndërsa në periudhën pasluftës u vranë 997 persona.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti kërkoi që të ushtrohet më shumë presion mbi Serbinë për të hapur arkivat që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të të zhdukurve, duke përmendur veçanërisht nevojën për qasje te arkivi i Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave dhe heqjen e klasifikimit 30-vjeçar.
Ndërkaq, në Kalludër të Zubin Potokut vazhdoi për dy ditë radhazi gërmimi i një varreze masive; autoritetet konfirmuan gjetjen e mbetjeve mortore dhe shprehën dyshime se ato mund t’i përkasin grupit prej 23 intelektualësh të Mitrovicës të zhdukur në prill 1999. Për këtë krim janë arrestuar kohët e fundit dy persona.

