Sezoni i Formula 1 rrezikon të mbyllet në mënyrë të papritur në pistat e Lindjes së Mesme nëse zhvillimi i garave përfundimtare në Katar dhe Abu Dhabi bëhet i pamundur për shkak të situatës së sigurisë në rajon. Drejtuesit e kampionatit njoftuan se vendimi përfundimtar do të merret deri në mesin e shtatorit. Presidenti dhe CEO i Formula 1, Stefano Domenicali, tha se për momentin të dyja garat mbeten në kalendarin zyrtar, por organizatorët po përgatisin plane alternative në rast se transporti i pajisjeve dhe personelit paraqet rrezik. Ai u shpreh: “Për ne sot, garat në Katar dhe Abu Dhabi janë të konfirmuara,” dhe shtoi se “nëse situata nuk qartësohet në mënyrën që ne besojmë se duhet deri në mesin e shtatorit, ne do të marrim vendimin përfundimtar. Në këtë rast, mund t’ju konfirmoj se fundi i sezonit do të zhvillohet në Europë, sepse nuk mund të udhëtojmë në vende të tjera.”
Koha e vendosur për vendimin u shpjegua me nevojën logjistike: një vendim në mesin e shtatorit i jep skuadrave dhe organizatorëve rreth dy muaj për të përgatitur infrastrukturën, marrëveshjet e homologimeve të pistave dhe të drejtat televizive nëse duhej të ndryshohej lokacioni. Ndër opsionet kryesore europiane që po diskutohen për të zëvendësuar garat finale përmendet pista italiane e Imolës, megjithëse ende nuk ka një konfirmim zyrtar.
Përsa i përket kushteve atmosferike, ekzistojnë shqetësime se fundi i nëntorit apo fillimi i dhjetorit mund të jetë i ftohtë për garë në Europë. Domenicali theksoi se temperaturat mesatare në atë periudhë nuk janë më të ulëta se ato me të cilat përballen garuesit gjatë garës së Las Vegasit, duke sugjeruar se kushtet klimatike nuk duhet të jenë pengesë kryesore.
Formula 1 vazhdon të monitorojë situatën nga afër për të shmangur ndryshime të minutës së fundit dhe për t’u garantuar skuadrave një mbyllje të sigurt dhe të rregullt të kampionatit botëror.

