Adnan Xholi, me një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe titullin “Doktor i Shkencave” në jurisprudencë, është kandidati i parë që ka hyrë zyrtarisht në garën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ai dorëzoi kërkesën pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), duke shfaqur interes për të drejtuar institucionin më të lartë të akuzës në vend.
I lindur në Dibër më 6 korrik 1975, Xholi përfundoi studimet në Fakultetin e Drejtësisë dhe u emërua prokuror në janar 2004. Para emrimit si prokuror ai ka shërbyer si oficer i Policisë Gjyqësore dhe si prokuror në Gjirokastër, përpara transferimit në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë. Gjatë karrierës ka mbajtur edhe funksione drejtuese: ka drejtuar përkohësisht Prokurorinë e Lezhës dhe Prokurorinë për Krime të Rënda, ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Kontrollit të Hetimit dhe më vonë Drejtor i Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme.
Në korrik 2021, pasi kaloi procesin e rivlerësimit kalimtar (Vetting), Xholi iu bashkua Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku ushtron detyrën e prokurorit të posaçëm. Në SPAK ai ka hetuar dosje të bujshme, përfshirë rastet e narkotrafikut, vrasjeve me pagesë dhe krimit të organizuar.
Kjo nuk është hera e parë që Xholi kandidon për poste drejtues. Në vitin 2022 ai kandidoi për drejtimin e SPAK, ndërsa në fund të vitit 2025 garoi sërish për kreun e institucionit, duke paraqitur platformën e tij për forcimin e hetimeve dhe rritjen e efektivitetit të prokurorisë.
Me aplikimin për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, Xholi është kandidati i parë që hyn në garë për të pasuar Olsian Çelën; mandati shtatëvjeçar i këtij të fundit përfundon në dhjetor të këtij viti. Afati për dorëzimin e kandidaturave pranë KLP-së është 1 gusht.

