Zjarret masive në rajonin jugperëndimor të Girondës në Francë vazhdojnë të përhapen, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se vala e katërt e të nxehtit këtë verë, me temperatura deri në 40°C, mund të përkeqësojë situatën. Mbi 2,000 zjarrfikës janë angazhuar në luftën me flakët, të cilat kanë detyruar më shumë se 70,000 banorë të largohen nga shtëpitë e tyre gjatë javës së fundit.
Prefektes rajonale Sophie Brocas njoftoi se të martën u regjistruan shpërthime të reja në 14 zona që ishin prekur më parë nga zjarret dhe se situata nuk konsiderohet ende nën kontroll. Zëdhënësi i Federatës Kombëtare të Zjarrfikësve, Eric Brocardi, përshkroi betejën me flakët si “Davidi kundër Goliathit” dhe bëri të ditur se katër zjarrfikës kanë humbur jetën në Francë gjatë javëve të fundit, duke theksuar se kushtet e motit po e vështirësojnë kontrollin e vatrave.
Qyteti i Bordeaux aktualisht nuk është nën kërcënim të drejtpërdrejtë, por autoritetet mbeten të shqetësuara pasi një vatër zjarri është regjistruar vetëm 15 kilometra nga periferia e qytetit. Komandanti i operacioneve, Rémi Lassoureille, paralajmëroi për rrezik ndaj zonës metropolitane të Bordeaux dhe raportoi për përkeqësim të ndjeshëm të cilësisë së ajrit për shkak të tymit.
Banorët dhe turistët kanë raportuar tym të dendur dhe hiri që kanë mbuluar qytetin, duke i detyruar shumë të mbajnë maska mbrojtëse dhe të qëndrojnë brenda. Disa restorante dhe kafene kanë pezulluar aktivitetin për shkak të ndotjes së ajrit.
Temperaturat e larta ndikojnë edhe vende të tjera: në Spanjë priten temperatura deri në 40°C, ndërsa rajoni i Madridit është ndër më të goditurit nga zjarret. Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez deklaroi se vendi po kalon ende ditë të vështira, por se situata po tregon shenja përmirësimi. Në Portugali, rreth 400 zjarrfikës po luftojnë një zjarr të madh në zonën lindore të Guardës.

