SPAK ka shpallur fajtorë gjashtë zyrtarë të Bashkisë Divjakë për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim çështjen kundër Dorjan F. Spahos, Sara F. Xhepës (Doko), Roklejd Y. Malkos, Fatos H. Veliut, Elbareta A. Nishicës dhe Vojsava I. Leçinit, të gjithë të akuzuar për veprën e parashikuar në nenin 258 dhe 25 të Kodit Penal (sipas ligjit nr. 23/2012).
Dorjan F. Spaho u deklarua fajtor dhe u dënua fillimisht me 1 vit burgim, i ulur më pas në 8 muaj. Ekzekutimi i dënimit u pezulllua dhe u zëvendësua me detyrimin për të kryer 120 orë punë në interes publik pa shpërblim (shërbim prove).
Sara F. Xhepa u shpall gjithashtu fajtore dhe u dënua me 1 vit burgim, përfundimisht i ulur në 8 muaj në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale. Ekzekutimi i dënimit u pezullua në bazë të nenit 63 të Kodit Penal dhe u zëvendësua me detyrimin për 120 orë punë në interes publik, me afat përmbushjeje brenda 6 muajsh. Ajo duhet të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës; ky shërbim do të përcaktojë llojin, vendin dhe oraret e punës.
Roklejd Y. Malko mori të njëjtin trajtim ligjor: dënim fillestar 1 vit, i zvogëluar në 8 muaj, pezullim i ekzekutimit dhe zëvendësim me 120 orë punë në interes publik, për t’u përmbushur brenda 6 muajsh, me detyrimin për të komunikuar me Shërbimin e Provës që do të organizojë detajet.
Fatos H. Veliu, Elbareta A. Nishica dhe Vojsava I. Leçini u deklaruan fajtorë dhe u dënuan secili me 1 vit burgim, të ulur në 8 muaj sipas nenit 406/1. Për këta tre persona u aplikua pezullimi i ekzekutimit dhe vënia në provë për 16 muaj në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, me kusht që të mos kryejnë vepra të tjera penale dhe të mbajnë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e tyre. Gjithashtu u hoq e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vjet, në zbatim të nenit 35 të Kodit Penal.
Shpenzimet proceduriale të hetimeve paraprake dhe ato gjyqësore ngarkohen në mënyrë solidare të pandehurve. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brenda 15 ditësh, duke nisur nga dita pas njoftimit të vendimit.

