Në emisionin “Top Story” u trajtua rreziku i armëve bërthamore dhe balanca e frikës mes fuqive botërore. Fizikanti Fatos Klosi shpjegoi arsyet pse, megjithë arsenalet e mëdha bërthamore të fuqive kryesore, këto armë nuk janë përdorur që nga Lufta e Dytë Botërore. Ai theksoi se pasojat e një përdorimi bërthamor do të qenë të pamenduara dhe të jashtëzakonshme: “Katastrofa që do pasonte përdorimin e armëve bërthamore është e paimagjinueshme. Fuqitë e mëdha kanë armë bërthamore për ta shkatërruar disa herë botën. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse nuk janë përdorur deri më tani.”
Klosi diskutoi gjithashtu listën e vendeve që disponojnë armë bërthamore dhe situatën me Iranin. Ai përmendi se marrëveshja me Iranin, e arritur para administratës Trump, përmbante detaje për kontrolle ndaj programit iranian dhe synonte që Irani të mos zotëronte armë bërthamore. Sipas tij, pretendimet se Irani tashmë ka armë bërthamore janë të mundshme, por “është pak larg saj.” Klosi vuri në dukje se ardhja e Presidentit Trump në pushtet çoi në anulimin e asaj marrëveshjeje.
Fizikanti renditi shtetet që, hë për hë, kanë armë bërthamore: Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Anglia, Franca, India dhe Pakistani. Ai sqaroi se Koreja e Jugut nuk i ka, kurse Koreja e Veriut po; dhe theksoi deklaratën e Koresë së Veriut se këto armë i duhen për të mos u sulmuar. Klosi shtoi se armët bërthamore krijojnë një rrezik tepër të madh për t’u përdorur si arsye për të filluar luftëra me to.
Përfundimisht, ai vlerësoi se deri tani armët bërthamore kanë shërbyer si faktor parandalues dhe kanë “luajtur një rol sigurie”, duke shmangur konflikte direkte ndërmjet shteteve me kapacitete bërthamore. Emisioni u transmetua nga Top Channel.

