Emisioni investigativ Fiks Fare verifikoi në terren denoncimet e banorëve për gjendjen e segmentit rrugor Tamarë–Vukël në Malësinë e Madhe, ku sipas tyre investimi prej mbi 160 milionë lekësh me TVSH nuk ka garantuar sigurinë e qarkullimit. Aksi rreth 9 kilometra, i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, synonte përmirësimin e aksesit për banorët, por pak muaj pas përfundimit të punimeve janë shfaqur probleme të rënda stabiliteti.
Gjatë vëzhgimit u konstatua se në disa zona shkëmbinj të mëdhenj qëndrojnë të paqëndrueshëm mbi rrugë dhe mungon sinjalistika paralajmëruese për rrezikun. Banorët thonë se rënia e gurëve është bërë fenomen i përditshëm, veçanërisht në dimër kur rruga shpesh bëhet e pakalueshme. Ata raportojnë se për rreth një vit nuk kanë parë punime në terren dhe se kanë denoncuar situatën pa gjetur zgjidhje, ndërsa përgjegjësia kalon nga një institucion te tjetri. Një banor tha: “Na thanë se do të na bënin një rrugë më të mirë, por sot kemi frikë të kalojmë. Po të kishte qenë një kolonë makinash kur ra ai masiv, pasojat do të ishin të rënda.”
Bashkia Malësi e Madhe theksoi pas interesimit të Fiks Fare se investimi është realizuar nga FSHZH dhe se bëhet fjalë për një “rrugë të bardhë”, ku kontrata nuk parashikonte shtrim asfalti, por zgjerim rrugë, ndërtim vepra arti dhe sistemim skarpatash. Bashkia njoftoi se gjatë inspektimit të fundit janë evidentuar problematikat me rënien e gurëve dhe stabilizimin e skarpatave, ndaj objekti nuk është marrë ende në dorëzim përfundimtar. Sipas bashkisë, kontraktori ka garanci trevjeçare dhe është i detyruar të ndërhyjë për çdo defekt.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit konfirmoi se punimet janë përfunduar dhe kolauduar, ndërsa rruga është në proces dorëzimi të përkohshëm te bashkia. Kompania mbikëqyrëse “Infra Konsalting” deklaroi se punimet janë realizuar sipas projektit, por disa zona mund të kërkojnë masa shtesë mbrojtëse pas reshjeve dhe ndryshimeve në terren. Kompania zbatuese “Vëllezërit Hysa” tha se ka kryer të gjitha punimet e parashikuara, edhe më shumë se sa ishte kërkuar.
Pavarësisht përgjigjeve institucionale, banorët vazhdojnë të udhëtojnë çdo ditë nën rrezikun e rënies së gurëve, duke pritur ndërhyrje që të garantojnë sigurinë e aksit.

