Detaje të reja dalin nga negociatat që çuan në lirimin e 24-vjeçares Rozalinda Plaka, e rrëmbyer nga ish-i fejuari i saj, Refit Buzi, në Vidhishtë të Roskovecit. Shefi i Stacionit Policor të Roskovecit, Mariglen Koroveshaj, tha se negociatat me autorin zgjatën disa orë dhe se vetë Buzi kërkoi që ai të ishte pranë automjetit ku mbahej peng e reja.
Sipas Koroveshajt, autori vendosi kusht që polici të afrohej i vetëm dhe pa armë; kërkesë që u pranua për të shmangur përshkallëzimin e situatës dhe për të shpëtuar jetën e pengut. “Autori kërkoi që unë të afrohesha personalisht. Më pas më kërkoi të isha i paarmatosur dhe i vetëm. E zbatova kërkesën e tij, pasi prioriteti ynë ishte të shpëtonim jetën e vajzës dhe të shmangnim çdo veprim që mund ta acaronte më tej”, u shpreh ai.
Koroveshaj tha se u afrua deri në rreth dy metra nga automjeti dhe se operacioni monitorohej në çdo moment nga forcat speciale RENEA. Kur u afrua, autori i tha të mos bënte asnjë hap tjetër sepse do të vriste veten; polici u tërhoq dhe negociatat vazhduan derisa u bë i mundur lirimi i pengut. “U tërhoqa dhe vazhduam negociatat derisa u bë e mundur lirimi i pengut. Çdo sekondë ishte vendimtare”, tha ai.
Pas lirimit, Rozalinda Plaka ishte në gjendje të rënduar psikologjike dhe kishte dëmtime fizike të shkaktuara gjatë rrëmbimit me forcë. Ajo nuk ishte në gjendje të ecte, prandaj Koroveshaj e mori në krahë dhe e largoi menjëherë nga zona e rrezikut. Më pas, shefi i stacionit u rikthye pranë autorit për të vijuar negociatat me synim që ai të dorëzonte armën dhe situata të përfundonte pa viktima të tjera.
Koroveshaj e përshkroi ngjarjen si momentin më të vështirë të karrierës së tij 12-vjeçare në Policinë e Shtetit. Lirimi i pengut u arrit pas orësh negociatash dhe nën mbikëqyrjen e forcave speciale.

