Ndeshja mes Kristian Prengës dhe ish-kampionit botëror Anthony Joshua në Xhedah u karakterizua nga një raund i parë spektakolar i shqiptarit dhe nga një përfundim me nokaut të britanikut në raundin e dytë. Joshua mori fitoren me nokaut në raundin e dytë, por Prenga dominoi dhe e rrëzoi disa herë kampionin gjatë raundit të parë, një paraqitje që tronditi arenën dhe tërhoqi vëmendjen e opinionit sportiv.
Përveç respektit të fituar në ring, performanca e Prengës pritet t’i sjellë përfitime të mëdha financiare. Sipas faqes së specializuar FighterChecks dhe burimeve të tjera për statistikat dhe fitimet në sportet luftarake, vlerësohet se Prenga mund të ketë arkëtuar rreth 3 milionë dollarë nga ky përballje. Kjo shumë përffshin një bursë bazë të garantuar prej rreth 1.4 milionë dollarësh, të ardhura nga Pay-Per-View (PPV) dhe bonuse pjesëmarrjeje në vlerë afërsisht 500 mijë dollarë, si dhe një bonus diskrecional të konsiderueshëm prej rreth 300 mijë dollarësh që supozohet të jetë dhënë për paraqitjen agresive dhe për vënien në vështirësi të kampionit në raundin e parë.
Pjesa tjetër e të ardhurave, sipas vlerësimeve, vjen nga kontratat me sponsorët dhe angazhimet promocionale të eventit, të cilat përbëjnë një komponent shtesë të paketës financiare që shpërblen pjesëmarrjen në një ndeshje me nivel të lartë. Ndonëse shifrat dhe klauzolat kontraktuale në boks janë zakonisht konfidenciale dhe nuk bëhen zyrtarisht publike, përllogaritjet e faqeve të specializuara ofrojnë një pasqyrë për shpërndarjen e mundshme të të ardhurave.
Nga ana sportive, përballja la përshtypjen se Prenga i dha Joshua-s një nga raundet më të vështira të karrierës së tij dhe konfirmoi pjesëmarrjen e tij në elitën e peshave të rënda. Financiarisht, rezultati i këtij meçi shënon një bilanc rekord për një boksier shqiptar, sipas vlerësimeve të publikuara. Top Channel.
