Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen Pyllin e Sodës në Vlorë, duke shkaktuar një re të dendur tymi që mbuloi një pjesë të qytetit dhe është i dukshëm nga disa lagje. Vatra ra brenda pyllit me pisha pranë vijës hekurudhore në zonën e Zvërnecit. Flakët u përhapën me shpejtësi, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era, dhe banorë e pushues u angazhuan në ndihmë të zjarrfikësve për izolimin dhe shuarjen e zjarrit.
Forcat zjarrfikëse mobilizuan të gjithë personelin në dispozicion për të izoluar vatërat, ndërsa shërbimet e emergjencës dhe strukturat mbështetëse ndodhen në terren duke punuar për vënien nën kontroll të zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet pranë zonës së prekur dhe të respektojnë udhëzimet e forcave në terren, ndërsa operacionet për shuarjen e flakëve vazhdojnë.
Siç raportoi korrespondenti i Top Channel, Mikel Marsi, menjëherë pas sinjalizimit në vend janë nisur forcat e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse, por situata paraqitet e vështirë për shkak të përhapjes së zjarrit në një zonë me bimësi të dendur dhe erës që favorizon avancimin e flakëve. Burime nga shërbimi zjarrfikës bëjnë me dije se aktualisht në Vlorë janë aktive pesë vatra zjarri njëkohësisht, gjë që ka vështirësuar ndarjen e forcave në terren.
Përveç zjarrit në Pyllin e Sodës, ndërhyrje po kryhen edhe në Dukat, pranë tunelit të Llogarasë, në zonën e Parkut të Mallrave dhe në Triport. Zjarri në Pyllin e Sodës rrezikon të përfshijë sipërfaqe të mëdha me pyje dhe bimësi dhe ekziston rreziku që flakët t’u afrohen edhe bizneseve dhe ambienteve pranë zonës. Operacionet e shuarjes dhe masa për mbrojtjen e zonave përreth vazhdojnë nga forcat në terren.

