Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e sotme Pyllin e Sodës në Vlorë, duke krijuar një re të dendur tymi që ka mbuluar një pjesë të mirë të qytetit. Vatra e zjarrit ka rënë brenda pyllit me pisha, pranë vijës hekurudhore në zonën e Zvërnecit, dhe tymi është i dukshëm nga disa lagje të Vlorës.
Menjëherë pas sinjalizimit, drejt zonës u nisën forcat e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Sipas të dhënave paraprake, situata paraqitet e vështirë për shkak të përhapjes së zjarrit në një zonë me bimësi të dendur dhe erës që favorizon avancimin e flakëve, çka vështirëson punën e ekipeve në terren.
Burime nga shërbimi zjarrfikës bëjnë me dije se aktualisht në Vlorë janë aktive pesë vatra zjarri njëkohësisht, duke e ndërlikuar ndarjen dhe koordinimin e forcave të ndërhyrjes. Përveç zjarrit në Pyllin e Sodës, ndërhyrje po kryhen edhe në Dukat, pranë tunelit të Llogarasë, në zonën e Parkut të Mallrave dhe në Triport. Këto zona po trajtohen paralelisht nga ekipet zjarrfikëse për të parandaluar përhapjen e flakëve dhe për të vënë situatën nën kontroll.
Deri në këto momente nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit dhe as sipërfaqja e përfshirë nga flakët. Autoritetet vijojnë operacionet e ndërhyrjes për izolimin dhe fikjen e vatrave, ndërsa situata mbetet nën vëzhgim. Forcat e rendit dhe shërbimet zjarrfikëse janë në terren dhe po koordinojnë veprimet për menaxhimin e emergjencës, me synimin për të rikthyer kontrollin sa më shpejt të jetë e mundur. Burimi i informacionit: Top Channel.

