“Ai ishte një djalë që kishte bërë shumë gola”, thonë disa shqiptarë në Londër që e njihnin Nertil Buzin. Në zhargonin e grupeve kriminale, “bërja gol” nënkupton moskorrektësi në shitblerjen e drogës ose grabitje të shtëpive të barit. Gazetari Muhamed Veliu rikonstrukton dinamikën e pengmarrjes së Buzit, ngjarje që ka lidhje me raportimet se ai i dha fund jetës, duke u vetëvrarë mbrëmjen e të premtes, pasi mori peng ish-të fejuarën dhe vrau dy prindërit.
Ngjarja nis në fund të shtatorit 2022, kur një grup kriminal nga Manchesteri shkon në Londër dhe bind Buzin të takohet në një hotel në Lindje të Londrës. Atje ai kapet në kurth: i lidhin me zinxhir te radiatori, i ngjitën gojën dhe e torturojnë, duke kërkuar 400.000 stërlina që, sipas tyre, Buzit i ishin dërguar në Shqipëri. Për disa ditë kërkesat përsëriten përmes video-thirrjeve ku tregojnë Nertilin të lidhur e të rrahur; në një rast torturohet me shkulje thonjsh me pincë. Vëllai i tij njofton Policinë e Fierit; informacioni dërgohet si “Sekret” te Drejtoria për Marrëdhëniet me Jashtë dhe inicion koordinimin me partnerët britanikë nën drejtimin e Pëllumb Seferit dhe Neritan Nallbatit.
Met Police dhe NCA zhvillojnë operacionin: lokalizohet sinjali i telefonit të pengut, vendoset vëzhgim pranë hotelit, dy agjente rezervojnë një dhomë dhe siguruan pamjet CCTV të dhomave. Analiza e fotografive dhe përgjimet telefonike çojnë në identifikimin e disa anëtarëve të grupit dhe të dhomës së pengut. Pas planifikimit, ndërhyhet me një skuadër të armatosur në mesnatë; përdoret granatë me gaz dhe neutralizohen tre persona. Buzi, i gjendje kolapsi pas torturave, dërgohet në spital dhe më pas mbrohet në një “safe house”, ku bashkëpunon me policinë si dëshmitari kyç.
Në lidhje me këtë rast, u arrestuan dhe akuzuan për rrëmbim, burgosje të rreme dhe kërcënim për të vrarë disa shtetas shqiptarë: Nelid Arapi (26), Xhon Guveli (28), Fation Arapi (27), Armando Brahashaj (26), Eduart Çepele (30) dhe Emanuela Arapi (28) (për këtë të fundit vetëm për burgosje të rreme). Pas përmirësimit të shëndetit, Buzi pranoi të dëshmonte, por dy vite më vonë prokuroria tërhoqi akuzat për pengmarrje, burgosje të rreme dhe kërcënim ndaj pesë të arrestuarve; pesë u liruan, ndërsa më 15 prill 2024 Nelid Arapi u dënua me 16 muaj burg për posedim kanabisi me qëllim shitjeje. Dy hipoteza për rrëzimin e procesit: tërheqja e Buzit nga dëshmia ose rreziku që mbrojtja ta diskreditonte atë në gjyq, çka mund të turbullonte çështjen për prokurorinë. Operacioni la zhgënjim, por ngushëllim mbeti lirimi i pengut gjallë.

