Ministri i Arsimit i Indisë, Dharmendra Pradhan, njoftoi dorëheqjen pas javësh protestash masive studentore lidhur me skandalin e publikimit dhe shitjes së provimeve të pranimit në fakultetet e mjekësisë. Largimi i tij është vlerësuar si një fitore e madhe për lëvizjen rinore “Partia Janta e Buburrecave” (CJP), e cila organizoi demonstrata në të gjithë vendin duke kërkuar përgjegjësi dhe reforma të thella në sistemin e provimeve. Kryeministri Narendra Modi nuk e ka pranuar ende zyrtarisht dorëheqjen.
Pas njoftimit të Pradhan, CJP bëri të ditur se do t’i japë fund protestave, sepse qeveria pranoi kërkesat kryesore të lëvizjes. Në mesin e kërkesave të pranura janë kompensimi për familjet e studentëve që humbën jetën pas anulimit të rezultateve të provimeve dhe rishikimi i planit për reformimin e sistemit të testimeve. Themeluesi i CJP-së, Abhijeet Dipke, përshëndeti dorëheqjen e ministrit, por theksoi se reforma e sistemit arsimor duhet të vazhdojë.
Partia në pushtet, Bharatiya Janata (BJP), mbështeti Pradhan dhe e përshkroi dorëheqjen si një akt përgjegjësie dhe integriteti. Protestat, të shkaktuara nga akuza për rrjedhjen e provimeve të pranimit në universitetet mjekësore, u shoqëruan me përplasje mes demonstruesve dhe policisë. Ato u shndërruan në një revoltë më të gjerë të të rinjve, që kërkojnë më shumë mundësi punësimi, transparencë dhe reforma në arsim.
Kryeministri Narendra Modi reagoi këtë javë, duke deklaruar se autorët e skandalit janë arrestuar dhe se qeveria do të marrë masa për të mbrojtur të ardhmen e studentëve. Ndërkohë, ndërsa lëvizja rinore jep shenja të tërheqjes për shkak të pranimit të kërkesave kryesore, udhëheqësit e saj nënvizojnë nevojën për vazhdimësi në procesin e reformave arsimore.

