Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Dan Caine, kanë shprehur shqetësime për rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit me Iranin, ndërsa presidenti Donald Trump po shqyrtonte mundësinë e zgjerimit të operacioneve ushtarake, njofton CNN duke cituar një burim të njohur dhe një zyrtar amerikan. Gjatë një takimi të premten në Shtëpinë e Bardhë, Caine ngriti çështje lidhur me rezervat e municioneve të SHBA-së dhe pasojat e mundshme të një përshkallëzimi më të madh. Ai i ka bërë të qartë presidentit se ushtria është në gjendje të zbatojë çdo urdhër, por paralajmëroi për rreziqet e një offensive më të gjerë.
Sipas raportimit, operacionet ajrore amerikane ndaj Iranit janë vendosur përkohësisht “në pritje” pas rreth dy javësh sulmesh natën, por nuk është e qartë nëse ky pezullim lidhet drejtpërdrejt me shqetësimet e ngritura gjatë takimit apo me faktorë të tjerë. Në një deklaratë, drejtori i Komunikimit i Shtëpisë së Bardhë, Steven Cheung, tha se presidenti Trump favorizon ende një zgjidhje diplomatike, por nuk përjashton asnjë opsion në rast se Irani vazhdon aktivitetet që SHBA i konsideron kërcënuese në Ngushticën e Hormuzit ose ndaj aleatëve amerikanë.
Pas takimit me kabinetin dhe këshilltarët, Trump deklaroi se administrata po vazhdon negociatat me Iranin dhe la të hapur mundësinë e rifillimit ose intensifikimit të bombardimeve, duke shtuar se Teherani duket se po tregohet “më serioz” në bisedime. CNN raporton gjithashtu se disa vende të Gjirit Persik u kanë kërkuar zyrtarëve amerikanë të tregojnë përmbajtje, ndërsa brenda administratës dhe Pentagonit ekzistojnë dyshime se një përshkallëzim i mëtejshëm ushtarak do të arrinte rezultatet e dëshiruara nga presidenti.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, deklaroi se ushtria amerikane mbetet plotësisht e përgatitur për të zbatuar çdo vendim të presidentit dhe se disponon kapacitetet e nevojshme për të mbrojtur interesat e Shteteve të Bashkuara.

