Reperi dhe biznesmeni Sean Combs, i njohur si Diddy, dyshohet të ketë qenë përfshirë në një përleshje me një të burgosur tjetër në Burgun Federal Fort Dix në New Jersey, dhe më pas është vendosur në qeli izolimi. Sipas TMZ, që citon burime të shumta, incidenti ka ndodhur në fillim të kësaj jave, kur një i burgosur tjetër dyshohet se e ka fyer reperin 56-vjeçar. Fillimisht shtyrjet mes tyre kaluan më pas në një përplasje fizike me grushte; burimet pretendojnë se Combs iu kundërpërgjigj goditjeve, derisa oficerët korrektues ndërhynë dhe ndanë të dy të burgosurit.
Pas incidentit raportohet se Diddy është transferuar në qeli izolimi, por ende nuk dihet saktësisht kur ka ndodhur sherri dhe nëse ai vazhdon të mbahet aty. Një zëdhënëse e Burgut Federal Fort Dix refuzoi të komentojë mbi raportimet, duke thënë se “për arsye privatësie, sigurie dhe mbrojtjeje, ne nuk publikojmë informacion në lidhje me kushtet e paraburgimit të asnjë të burgosuri, duke përfshirë vendosjen e tyre në një strukturë specifike, as nuk komentojmë nëse një i burgosur është subjekt i ndonjë ankese, hetimi apo sanksioni.” Përfaqësuesit e Sean Combs nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të mediave për koment.
Sipas raportimeve, incidenti mund të ketë pasoja për lirimin e tij, pasi çdo masë disiplinore mund të ndikojë në datën e përfundimit të dënimit. Aktualisht, data e lirimit të Combs është planifikuar për 8 shkurt 2028, por mbetet e paqartë nëse sherri i raportuar dhe sanksionet e mundshme disiplinore mund ta shtyjnë këtë afat.
Sean Combs u dënua për dy akuza për transportimin e personave për qëllime prostitucioni, në shkelje të Aktit Federal Mann. Në tetor 2025 ai u dënua me katër vjet e dy muaj burg, pesë vjet lirim të mbikëqyrur dhe një gjobë prej 500,000 dollarësh. Deri më tani, as autoritetet e burgut dhe as përfaqësuesit e reperit nuk kanë konfirmuar zyrtarisht se sherri ka ndodhur ose se ndaj tij është marrë ndonjë masë disiplinore.

