Këngëtari amerikan i R&B, Chris Brown, është deklaruar fajtor për akuzën e përleshjes, lidhur me një sulm që ndodhi në një klub nate në Londër më 19 shkurt 2023. Ai do të dënohet në 26 tetor, ndërsa akuzat më të rënda për sulm, tentativë për shkaktim të lëndimeve të rënda trupore dhe posedim të një arme sulmuese janë rrëzuar.
Sipas Policisë Metropolitane, pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se Brown goditi disa herë viktimën në kokë me një shishe qelqi. Më pas viktima u ndoq, u rrëzua në tokë dhe u godit me shqelma. Nga sulmi, producenti muzikor Abe Diaw pësoi lëndime në kokë dhe gju dhe kërkoi trajtim spitalor. Prokurorët thanë se Brown iu afrua viktimës nga pista e vallëzimit në klubin privat Tape në zonën Mayfair dhe e goditi me shishe, ndërsa Omololu Akinlolu, i njohur me emrin artistik Hoody Baby, iu bashkua sulmit.
Akinlolu po ashtu pranoi fajësinë për përleshje, dhe ndaj tij u hodhën poshtë akuzat për sulm dhe tentativë për shkaktim të lëndimeve të rënda trupore. Sipas Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës, të dy vazhduan ta godisnin viktimën edhe kur ai u përpoq të largohej, dhe e shqelmonin ndërsa ishte i pambrojtur në dysheme.
Detektivja Zara Ripamonti e Policisë Metropolitane e përshkroi sulmin si “të turpshëm dhe të paprovokuar”, duke theksuar se nuk ka vend për dhunë të tillë në Londër. Prokurorja Claire Campbell deklaroi se përdorimi i një shisheje qelqi si armë në një klub të mbushur me njerëz ishte “një akt i rëndë dhune” dhe se askush nuk është mbi ligjin.
Brown dhe Akinlolu u paraqitën në Gjykatën e Kurorës në Southwark; seanca zgjati më pak se pesë minuta. Gjykatësi Tony Baumgartner caktoi seancën e shpalljes së dënimit për 26 tetor dhe lejoi Brown të largohet nga Mbretëria e Bashkuar me kusht që të kthehet një ditë më parë për vendimin e gjykatës.

