Andrea Pirlo është shumë pranë marrjes së drejtimit të kombëtares italiane, pasi Federata Italiane e Futbollit e ka zgjedhur si kandidatin kryesor për projektin e rindërtimit të “Axurrëve” pas refuzimit të Pep Guardiolës. Sipas mediave italiane, marrëveshja me Pirlon është në fazën finale dhe kanë mbetur vetëm detajet e fundit për t’u mbyllur. Kontrata e parashikuar është katërvjeçare, me një pagë rreth 1.5 milionë euro në sezon.
Drejtuesit e Federatës kanë vendosur t’i besojnë një figure të njohur të futbollit italian për të ndërtuar një projekt afatmesëm dhe afatgjatë për kombëtaren, pas disa rezultateve zhgënjyese në vitet e fundit. Vendimi për Pirlon erdhi pasi u zyrtarizua mbyllja e pistës së Pep Guardiolës, i cili refuzoi ofertën për të marrë drejtimin e Italisë. Trajneri katalanas preferoi të marrë një periudhë pushimi nga futbolli dhe t’i kushtojë më shumë kohë familjes, ndërsa burimet raportojnë se refuzimi nuk lidhej me aspektin financiar, por me zgjedhje personale dhe familjare.
Guardiola ishte tunduar nga propozimi i bërë nga drejtuesit italianë, mes të cilëve emra si Paolo Maldini dhe Leonardo, por në fund vendosi të mos rikthehet menjëherë në një detyrë të re. Pas mbylljes së kësaj piste, drejtuesit e Federatës përshpejtuan kontaktet me Pirlon, të cilin e shohin si profilin e duhur për të udhëhequr një cikël të ri të kombëtares.
Një tjetër tregues që afron ish-kampionin e botës me pankinën e Italisë është fakti se ai po negocion shkëputjen nga kontrata me klubin e tij aktual në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ndërkohë, sipas raportimeve nga Italia, në orët e fundit nuk ka pasur kontakte as me Roberto Mancinin dhe as me Antonio Conten, pavarësisht se Conte ishte një emër i mbështetur nga disa faktorë të futbollit italian.

