Protesta e zhvilluar para Parlamentit, e shoqëruar me incidente, u diskutua intensivisht në studion e emisionit “Top Story” me Grida Dumën. Debati u përqendrua te përbërja e protestës, roli i partive politike dhe dallimi midis akteve të dhunshme dhe pjesëmarrjes së qytetarëve që kërkojnë ndryshim.
Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, e përshkroi protestën dhe incidentet si të inicijuara nga partitë e vogla, qendrim që nxiti kundërshtime nga analisti Arion Sulo dhe drejtori i informacionit të Top Channel, Robert Rakipllari. Gjatë debatit u shkëmbyen akuza dhe kundërakuza për përgjegjësi dhe për përmendje emrash konkretë. Bido akuzoi se nuk janë përmendur “fiset Balliu dhe Moçka”, ndërsa Sulo iu përgjigj duke e quajtur gënjeshtër dhe duke thënë se ai kishte përmendur emra si Shehaj dhe të tjerë.
Bido theksoi se nuk mund të vendosen në një thes grupimet e vogla të dhunshme me kreativitetin e të rinjve që dolën në protesta. Ai pranoi se kishte grupe të ndryshme, duke përmendur si të tillë “ata të Iranit dhe të rinj kreativë” që kanë zbritur për të protestuar. Rakipllari kundërshtoi, duke vënë në dukje se në tubim ka një grup të madh të pakënaqur ndaj politikës dhe sistemit, dhe se protestuesit kritikojnë “teatrin” ku të pranishëm janë edhe vetë politikanët në studio.
Në përgjigje, Bido mohoi se është pjesë e “teatrit”, por Rakipllari insistoi se ai është “pjesë qendrore e teatrit”, duke i dhënë një rol të caktuar në skenën politike dhe duke argumentuar se ky protagonizëm nuk i është dhënë nga PS, por e ka marrë vetë. Bido deklaroi se grupimi që doli në protesta është përgjegjësi e PS-së dhe elitës politike për t’u marrë dhe për të thithur kërkesat e protestës, duke shtuar se për elementët e dhunshëm nuk ka interes dhe i konsideron të dëmshëm për frymën politike.
Sulo përfundoi duke kritikuar fokusimin te disa akte konkrete të dhunës, duke thënë se përqendrimi te “pesë gurët e protestës” është si të mbulosh Diellin me shoshë dhe duke theksuar se gjatë protestave e gjithë Tirana ishte në shesh, me qytetarë edhe në dritare e ballkone, duke pyetur se ku ishin partitë politikisht.

