Demokratët bllokuan foltoren duke bërtitur dhe goditur tavolina me shuplaka dhe bidonë plastike, si formë revoltë për të mos lejuar kalimin në diskutim të projektligjeve të rendit të ditës. Ata kërkonin që çështjet të diskutoheshin, por mazhoranca i kaloi projektligjet direkt në votim, sipas PS, duke shmangur diskutimet pasi demokratët nuk po lironin foltoren. Mes zhurmës, mazhoranca vazhdoi të miratojë një nga një pikat e rendit të ditës.
Rendi i ditës përfshinte miratimin e procesverbaleve të seancave plenare të datave 16.7.2026 dhe 23.7.2026 dhe njoftime. Në rend ishin edhe disa projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë” për vitin 2025, duke përfshirë: Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Prokurorinë e Përgjithshme, Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Avokatin e Popullit dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.
I përfshirë në rend ishte një interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, e kërkuar nga deputeti Blendi Himçi, si dhe dy seanca pyetje–përgjigje me të njëjtin ministër, të kërkuara nga deputetët Bujar Leskaj dhe Erald Kapri.
Lista përfshinte dy akte normative: Akt normativ nr. 2, datë 30.6.2026, për ndryshime dhe shtesa në ligjin për buxhetin e vitit 2026, dhe Akt normativ nr. 3, datë 6.7.2026, për financimin e pjesshëm të organizimit të një aktiviteti kulturor–turistik me përmasa ndërkombëtare.
Mes projektligjeve ishin: “Për grupimet ekonomike me interes evropian”; “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)”; “Për statutin e shoqërive evropiane (SE)”; “Për mbylljen e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim”; dhe “Për kërkesat e transparencës për emetuesit e titujve”. Po ashtu u parashikuan ndryshime në ligje të ndryshme, përfshirë ato për pagesat e vonuara, Kodin Civil, turizmin, Kodin Detar, Avokaturën e Shtetit, Agjencinë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, kontabilitetin dhe pasqyrat financiare, pronësinë industriale, disiplinën në Forcat e Armatosura dhe Policinë e Shtetit.
Rendi përfshinte gjithashtu projektvendime për emërimin e Kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit të Prokurimit Publik dhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

