Në ditët e fundit nafta po tregtohet në 206 lekë për litër në Shqipëri, nivel që krahasohet me periudhën e krizës të shkaktuar nga tensionet në Lindjen e Mesme. Pas shfuqizimit të Bordit të Transparencës më 19 qershor, çmimi i naftës ishte rritur në 176 lekë për litër; më pas, përkeqësimi i tensioneve ndërmjet SHBA-së dhe Iranit tronditi tregjet globale dhe çmimet vijuan të ngrihen, duke arritur 196 lekë më 20 korrik dhe 206 lekë këtë të mërkurë.
Rritja reflektohet edhe në bursën Platts të Mesdheut, që i shërben referencë edhe Shqipërisë: më 14 korrik nafta u importua për 1,206 dollarë për ton, ndërsa më 21 korrik u zhdoganua për 1,274 dollarë për ton. Në bursë, nafta Brent po tregtohet rreth 94 dollarë për fuçi, me tendencë rritjeje.
Për pasojë, Shoqata e Transportit Ndërqytetas ka deklaruar se do t’i drejtohet institucioneve me kërkesë për subvencionimin e naftës në këto nivele çmimesh. Gjatë periudhës së mëparshme të krizës, qeveria subvencionoi shoqëritë e transportit qytetas dhe ndërqytetas me 50 lekë për litër. Ende nuk është vendosur se si do të veprohet nëse çmimet e karburanteve do të vazhdojnë të rriten.
Ngarkesa e çmimeve vijon edhe në rajon: Serbia rivendosi masat mbështetëse, duke vendosur fillimisht tavanet për çmimet e karburanteve pas rritjeve deri në 1,87 euro për litër. Mali i Zi uli përkohësisht akcizën, duke bërë që nafta të tregtohet për rreth 1,65 euro për litër, nga 1,81 euro për litër që parashikohej të arrinte.
Operatorët në Shqipëri vënë në dukje se vendi vazhdon të ketë çmimin e naftës më të lartë në rajon, në lidhje me ngarkesën e lartë fiskale, ku rreth gjysma e çmimit përbëhet nga taksa. Sipas njoftimit, elementi që rrit më së shumti barrën fiskale në Shqipëri është taksa e qarkullimit prej 27 lekësh për litër.

