Kupa e Botës u shndërrua jo vetëm në një spektakël sportiv, por edhe në burim të madh fitimesh për përfitimet nga publiciteti dhe markat. Jashtë fushës, figura që dominoi tregun e marketingut ishte David Beckham, i cili, sipas analistëve financiarë, arkëtoi rreth 19 milionë paund (mbi 22 milionë euro) gjatë kohës së turneut. Beckham ishte i pranishëm në stadiume dhe, më e rëndësishmja, në ekranet e miliarda shikuesve, si imazhi kryesor në fushatat e kompanive të mëdha si McDonald’s, Walkers dhe Stella Artois.
Këto fitime e vendosën atë përpara yjeve të muzikës që performuan gjatë ngjarjes: Shakira mori rreth 15 milionë paund (17.5 milionë euro) për shfaqjet në ceremoninë e hapjes dhe në pjesën e parë të finales, ndërsa Justin Bieber përfundoi turneun me 12 milionë paund. Ndikimi i Beckham në SHBA është forcuar për shkak të periudhës së tij me LA Galaxy dhe rolit aktual si bashkëpronar i Inter Miami; së bashku me bashkëshorten Victoria, pasuria neto e çiftit vlerësohet në 1.85 miliardë paund. Edhe djali i tij, Brooklyn Beckham, përfitoi rreth 1 milion paund, kryesisht nga një kontratë me DoorDash. Eksperti i markave Nick Ede tha për The Sun se markat globale besojnë te vlera e mbiemrit Beckham dhe se ekspozimi gjatë Kupës është po aq i vlefshëm sa roli kryesor në një film apo një album hit.
Kontrasti më i madh i këtij Botërori është se Beckham fitoi 8 milionë paund më shumë se e gjithë Kombëtarja e Anglisë së bashku. Federata Angleze e Futbollit mori 22 milionë paund nga çmimet e turneut, prej të cilave rreth 11 milionë paund u ndanë për të gjithë skuadrën dhe stafin teknik. Secili futbollist anglez pritet të përfitojë mes 350,000 dhe 420,000 paund për vendin e tretë. Trajneri Thomas Tuchel përfiton një bonus të veçantë financiar, i pavarur nga fondi i lojtarëve, ndërsa honoraret standarde prej 2,000 paundësh për çdo ndeshje të lojtarëve dhurohen tërësisht për bamirësi përmes Fondacionit të Futbollistëve të Anglisë, sipas marrëveshjes që nga viti 2007. Kjo thellon hendekun mes fitimeve personale të Beckham dhe atyre të lojtarëve.

