Stuhia që goditi Kosovën të martën pasdite la pas disa të lënduar dhe dëme të konsiderueshme materiale në qytete të ndryshme. Në Pozharan të Vitisë dy persona pësuan lëndime të lehta nga rrëzimi i dyerve hyrëse të oborrit të tyre, ndërsa një person vdiq pas rrëzimit aksidental në ballkonin e shtëpisë, i cili ishte lagur nga stuhia. Në të njëjtën komunë erërat e forta dhe breshëri shkaktuan dëmtime në çatitë e shtëpive dhe objekteve shkollore, si dhe rrëzimin e drurëve.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, njoftoi nisjen e procesit të vlerësimit të dëmeve dhe kërkoi mbështetje nga niveli qendror për familjet e prekura. Situatë më e rënduar nga moti i ligë u shënua në komunën e Suharekës; pamjet e publikuara nga qytetarët treguan erëra të fuqishme që rrëzuan çatitë e objekteve biznesore dhe shkollore. Përveç zonës së qytetit të Suharekës, dëmet më të mëdha ishin në disa fshatra, ku sipas kryetarit të komunës, Bali Muharremaj, gjithashtu është nisur vlerësimi i tyre.
Edhe në komunën e Pejës pati erëra dhe breshër, që shkaktuan bllokime të rrugëve. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës parashikoi mot të ngjashëm edhe për të mërkurën, duke njoftuar se stuhitë me bubullima do të prekin të gjithë territorin e Kosovës. Në disa rajone priten reshje intensive shiu, breshër dhe era të forta, ndaj u lëshua niveli portokalli i rrezikut.
Institucionet lokale i bënë thirrje qytetarëve të kenë kujdes gjatë aktiviteteve në ambientet e jashtme. Ministria e Infrastrukturës u bëri thirrje ngasësve të automjeteve të kenë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, të shmangin udhëtimet e panevojshme gjatë stuhive dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike.

