Një kallëzim i ri penal i shtohet çështjes së abuzimit me fondet e filialit të Postës Shqiptare në Durrës. Marrja e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj ish-shefes së Financës së Postës Durrës, Valbona Duni, ka hapur një tjetër front hetimor. Dy ditë pas vendimit të gjykatës, bashkëshorti i ish-drejtoreshës së Filialit të Postës Durrës, Elisabeta Mataj — e cila ndodhet në “arrest në burg” — Feta Mataj, depozitoi një kallëzim penal në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, duke ngritur akuza ndaj Valbona Dunit. Prokuroria, pas kallëzimit të Postës Shqiptare, akuzon Mataj, Duni dhe P. Dana për vjedhje duke shpërdoruar detyrën në bashkëpunim.
Në kallëzimin e bërë më 20 korrik, Feta Mataj pretendohet se bashkëshortja e tij është bërë përgjegjëse pa të drejtë për skandalin financiar në Postën e Durrësit dhe kërkon që të hetohet edhe Valbona Duni. Sipas tij, verifikimet private krijuan dyshime se ish-shefja e Financës ka krijuar një pasuri të konsiderueshme, të pajustifikuar me të ardhurat e saj — një rrogë mujore 60 mijë lekëshe. Ai kërkon hetimin e burimit të pasurisë dhe të aktivitetit ekonomik të familjarëve të saj.
Kallëzuesi pretendon se shefja e financës dhe dy fëmijët e saj disponojnë automjete luksoze të prodhuara në vitet e fundit me vlerë qindra mijëra euro, disa apartamente në Durrës dhe Tiranë, si dhe biznese të hapura kohët e fundit. Ai dyshon se këto biznese mund të jenë përdorur për të justifikuar të ardhura të paligjshme, duke ngritur dyshime për pastrim parash. Gjithashtu përmendet se pasuria e familjes Duni është shtuar ndjeshëm pas vitit 2020, periudhë që përkon me administrimin e fondeve të rindërtimit pas tërmetit nga Posta; kjo rrethanë kërkohet të verifikohet nga organet e drejtësisë.
Në kallëzim kërkohet që organet hetimore të shqyrtojnë nëse ka pasur bashkëpunim në administrimin e fondeve publike nga viti 2020 e në vazhdim dhe të kryhet një hetim i plotë pasuror e financiar për Valbona Dunin dhe familjarët e saj. Feta Mataj thotë se Elisabeta Mataj i kishte raportuar më herët problematikat në sektorin e financës dhe shqetësimet që, sipas tij, nuk ishin marrë në konsideratë nga drejtuesit. Policia e Durrësit njofton se kallëzimi po i kalon Prokurorisë, e cila pritet të vlerësojë pretendimet dhe të vendosë për regjistrimin e procedimit penal dhe nisjen e verifikimeve.

