Gjatë ditës së pushimit të Tour de France kanë shpërthyer polemika për kontrollet antidoping të kryera natën ndaj çiklistëve, pas testimeve që iu bënë Tadej Pogacar dhe Jonas Vingegaard në natën mes të shtunës dhe të dielës. Në etapën pas testit të së dielës, Vingegaard u rrëzua dhe u detyrua të tërhiqej nga gara për shkak të një frakture në klavikul; danezi do t’i nënshtrohet një operacioni. I pyetur nëse kontrolli antidoping në mes të natës ndikoi në rrëzimin e tij, Vingegaard tha: “Sigurisht nuk më bëri mirë, por nuk është e mundur të thuash se ai kontroll ishte shkaku i incidentit… mund të ketë ndikuar, por nuk dua ta ngarkoj të gjithë fajin te kjo. Rrëzimet janë pjesë e çiklizmit.”
Nën akuzë është ITA, agjencia e pavarur që menaxhon kontrollet antidoping, e cila iu përgjigj kritikave me një komunikatë për AFP, duke pranuar se “testet e kryera natën mund të shqetësojnë pushimin dhe rikuperimin e çiklistëve” dhe se për këtë i është kushtuar vëmendje e veçantë reduktimit të impaktit të kontrolleve. ITA thekson gjithashtu se, “për llogari të UCI ka përgjegjësinë për të garantuar efikasitetin e programit antidoping.”
Sipas të përditshmes L’Equipe, ITA ka marrë një autorizim specifik nga një gjykatës për të kryer kontrolle në mes të natës (02:00 për Vingegaard, 05:00 për Pogacar), me oraret që, sipas gazetës, janë të mundshme vetëm kur ekzistojnë dyshime të forta ose rreziku i zhdukjes së provave.
Drejtori i Tour de France, Christian Prudhomme, tha se “të testosh sportistët në atë orë më duket shumë herët,” por vuri në dukje se është arritur të krijohet një agjenci antidoping e pavarur. Ish-çiklisti Lance Armstrong reagoi ashpër, duke thënë se nuk është kundër kontrolleve, por duke kritikuar oraret: “të kryesh testet në orën 02:00 është çështje e të drejtave të njeriut… Tour de France është gara më e lodhshme në botë dhe pushimi është thelbësor.” Ai bëri edhe një paralelizëm me futbollin, duke pyetur retorikisht se si do të pranohej një veprim i tillë ndaj një lojtari si Lionel Messi natën para finales. (Top Channel)

