Prej gati tre javësh banorët e fshatit Gjokaj dhe tre fshatrave të tjera në Bashkinë Vorë përjetuan mungesë të ujit të pijshëm gjatë ditëve më të nxehta të verës. Në emisionin Fiks Fare ata denoncuan se, megjithëse paguajnë rregullisht faturat e ujësjellësit, janë detyruar të blejnë ujë me autobote për nevojat e përditshme, një shpenzim që sipas tyre arrin rreth 30 mijë lekë. Banorët thanë se problemi përsëritet dhe se furnizimi ka qenë për vite me orare të kufizuara; edhe kur uji mbërrinte, cilësia e tij lë për të dëshiruar, ndërsa këtë herë rubinetat kanë qenë të thatë për më shumë se dy javë. “Prej mbi dy javësh jemi pa ujë. Edhe më parë uji vinte vetëm një herë në dy ditë. Ne i paguajmë faturat, por tani po blejmë ujë me autobot, që na kushton rreth 30 mijë lekë,” shprehen banorët.
Ata thanë se kishin ngritur vazhdimisht shqetësimin pranë institucioneve, por nuk kishin marrë një afat të qartë për zgjidhjen e problemit; sipas banorëve, bizneset në zonë nuk përballen me të njëjtën situatë. Pas denoncimit, Fiks Fare iu drejtua përgjegjësit të ujësjellësit në Bashkinë Vorë. Përgjegjësi pranoi se ndërprerja e furnizimit ishte shkaktuar nga “një defekt në një rrjet të amortizuar”, i cili ka prekur katër fshatra. Ai deklaroi se, përveç riparimit të defektit, po kryhet edhe optimizimi i rrjetit me qëllim përmirësimin e furnizimit me ujë në të gjithë zonën dhe se “me ndërhyrjen që po bëjmë, jo vetëm do të riparohet defekti, por do të përmirësohet edhe orari i furnizimit. Që nesër këto fshatra do të kenë ujë çdo ditë.”
Menjëherë pas interesimit dhe insistimit të Fiks Fare pranë institucioneve përgjegjëse, furnizimi me ujë u rikthye në fshatin Gjokaj dhe zonat e prekura. Banorët falënderuan emisionin, duke thënë se pas javësh të tëra pa ujë rubinetat u furnizuan sërish.

