Detaje të reja dolën rreth aksidentit fatal në Maqedoninë e Veriut që i mori jetën tre qytetarëve nga Kosova. Viktimat janë identifikuar si Ejup Ternava, Cennet Ternava dhe Fatmire Shabani. Automjeti me të cilin udhëtonin u gjet i fundosur në lumin Lepenc.
Sipas Fatmir Beqirit, i afërm i viktimave, në një intervistë për media në Kosovë, Ejup Ternava po e drejtonte automjetin dhe së bashku me bashkëshorten kishin shkuar për ta marrë motrën e tij në Aeroportin e Shkupit kur ndodhi aksidenti. Ai tha se kontakti i fundit me ta është regjistruar përmes kamerave të shtetit maqedonas rreth orës 22:38, më pas ata kanë humbur gjurmët. Beqiri deklaroi se, sipas tij, shoferi ka humbur rrugën dhe ka hyrë në një rrugë që del në boshllëk, çka më pas çoi në ngjarjen tragjike.
I afërmi i viktimave gjithashtu pretendoi se një ndër shkaqet e mundshme të aksidentit ishte mungesa e sinjalistikës rrugore në vendin e ngjarjes. Ai tha se ishte ndër të parët që shkoi personalisht atje dhe nuk kishte parë asnjë shenjë sinjalizuese.
Tre personat, të gjithë nga Vushtrria, humbën kontaktet me familjarët mbrëmjen e së shtunës menjëherë pasi dolën nga Aeroporti i Shkupit. Pas raportimit të zhdukjes, autoritetet maqedonase nisën një operacion kërkimi, ndërsa familjarët apeluan edhe për ndihmën e qytetarëve në gjetjen e tyre.
Gjatë kërkimeve u lokalizua automjeti, një Mercedes GLC me targa gjermane, i fundosur në lumin Lepenc. Mediat maqedonase raportuan se pas nxjerrjes së automjetit nga uji, autoritetet konfirmuan se brenda tij ndodheshin trupat e pajetë të tre personave.

