Homazhet në nder të gazetarit Enrik Mehmeti po zhvillohen në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë, ku familjarë, të afërm, miq, kolegë dhe qytetarë i kanë dhënë lamtumirën e fundit pas vdekjes tragjike të tij në një aksident. Në ceremoni ka marrë pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili u ka shprehur ngushëllimet familjarëve dhe, duke dalë nga ambientet e teatrit, u përsëriti gazetarëve shprehjen e ngushëllimeve për humbjen e Mehmetit.
Opinioni publik u trondit mbrëmjen e së shtunës nga lajmi për ndarjen nga jeta, në moshën 40-vjeçare, të gazetarit të njohur nga Vlora. Sipas të dhënave paraprake të policisë, ai po lëvizte me një motor me katër rrota në plazhin e Porto Noves, në Zvërnec, kur dyshohet se si pasojë e një manovre të gabuar humbi kontrollin e mjetit dhe motori u rrokullis disa herë, me pasojë vdekjen e tij.
Enrik Mehmeti kishte një karrierë mbi 20 vjeçare në gazetari, duke raportuar ngjarjet më të fundit nga qyteti bregdetar dhe duke u bërë një zë i besueshëm për banorët. Fillimet e tij në gazetari lidhen me vitin 1997, kur, ndërsa ishte vetëm 11 vjeç, u angazhua me përkthime në kampin e operacionit “Alba”, ku ishin vendosur ushtarët italianë për të sjellë stabilitet pas trazirave. Pak vite më vonë ai nisi raportimet nga terreni, duke përcjellë për publikun informacione nga politika, kronika, kultura dhe sporti.
Gjatë karrierës së tij Mehmeti u bë edhe një zë me peshë për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve në Vlorë, duke raportuar çështje lokale dhe duke ndjekur ngjarje që prekën jetën e komunitetit.

