Emri i gjyqtarit slloven Slavko Vincic, i caktuar për të arbitruar finalen e Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës në MetLife Stadium, ka nxitur debat global. Ndërsa në fushë ai është vlerësuar për aftësitë teknike të arbitrimit, në sferën publike lidhja e tij me një ngjarje të bujshme të vitit 2020 ka rikthyer vëmendjen mbi të.
Në maj 2020 në qytetin Bijeljina të Bosnje-Hercegovinës, policia zhvilloi një operacion të gjerë ndaj një rrjeti kriminal të dyshuar për përfshirje në prostitucion, trafik droge dhe mbajtje pa leje të armëve. Gjatë bastisjes së një ferme (ranch) autoritetet arrestuan 35 persona, nga të cilët nëntë gra dhe 26 burra. Forcat e rendit sekuestruan katër pako me kokainë, dhjetë pistoleta, tre jelekë anti-plumb dhe më shumë se 10,000 euro para në dorë.
Në mesin e personave të ndaluar në atë aksion u gjet edhe emri i Vincic. Pas ndalimit ai u mor në pyetje nga policia dhe më pas u lirua shpejt, pasi autoritetet e trajtuan atë si dëshmitar. Vincic ka pohuar se ishte i pranishëm për një “drekë pune” dhe se nuk kishte dijeni për aktivitetet e paligjshme që po zhvilloheshin në vendin ku ndodhej. Ai ka përshkruar pjesëmarrjen si një ftese për drekë që e kishte pranuar pa e ditur natyrën e ambientit, duke e cilësuar ngjarjen si “gabimin më të madh të jetës së tij”.
Federata Sllovene e Futbollit reagoi duke dalë në mbrojtje të gjyqtarit, duke e përshkruar incidentin si një “varg rrethanash fatkeqe” dhe duke theksuar se Vincic thjesht ishte “në vendin e gabuar në kohën e gabuar”. Emërimi i tij për finalen botërore dhe rikthimi i zërit për ngjarjen e 2020-ës kanë sjellë në qendër të debatit pyetje rreth përshtatshmërisë së tij publike, ndërsa vetë vincic qëndron i shprehur për pafajësinë dhe keqkuptimin ndaj situatës së kaluar.

