E ardhmja e Mohamed Salah mund të marrë një drejtim të papritur, me Besiktasin si pretendent të ri për shërbimet e tij. Pas largimit nga Liverpooli në fund të sezonit, pritshmëritë fillestare ishin për një transferim në Arabinë Saudite, por sipas gazetarit turk Yağız Sabuncuoğlu, klubi i Stambollit i ka dërguar tashmë ofertën e parë 33-vjeçarit dhe bisedimet kanë nisur. Raportimet thonë se Salah ka ulur pretendimet financiare që kishte—fillimisht kërkonte një pagë prej 15 milionë eurosh në vit—ndërsa agjenti i tij ka mbërritur në Stamboll për negociata.
Agjenti Ramy Abbas la të kuptohet se një vendim mund të merret së shpejti, duke deklaruar se ende nuk e dinë se ku do të luajë Salah sezonin e ardhshëm, por se informacioni mund të bëhet i njohur shumë shpejt. Gjatë dy viteve të fundit, klubet saudite kanë tentuar vazhdimisht ta bindin lojtarin me oferta të mëdha, por nëse raportimet turke rezultojnë të sakta, Besiktasi mund të ketë marrë avantazhin në garën për firmën e ish-yllit të Liverpoolit.
Vendimi i Salahut ka hyrë në një fazë vendimtare edhe pas përfundimit të aventurës së Egjiptit në Kupën e Botës, ku u eliminuan në 1/8-ën nga Argjentina 3-2 në një ndeshje me polemika; Salah protestoi ashpër, duke pretenduar se ishte faulluar pak çaste përpara golit vendimtar të Lionel Messit e shokëve të tij.
Mohamed Salah u largua nga Liverpooli pas nëntë sezonesh gjatë të cilave shënoi 257 gola dhe u bë një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e klubit. Sezoni i fundit i tij ishte i trazuar, me disa përplasje publike me trajnerin Arne Slot dhe shprehje pakënaqësie në dhjetor. Në një moment largimi dukej i mundshëm që në janar, por pas Kupës së Afrikës u arrit një marrëveshje që Salah të vazhdonte deri në fund të sezonit. Ai pati aktivizime të alternuara në pjesën e dytë të kampionatit, ndërsa Liverpooli e siguroi me vështirësi një vend në Ligën e Kampionëve pa fituar trofe. Pas sezonit, Slot u largua dhe në stolin e “The Reds” u emërua trajneri spanjoll Andoni Iraola. Nëse negociatat me Besiktasin arrijnë sukses, Salah do të nisë një kapitull të ri karriere dhe ky do të ishte një nga transferimet më surprizuese të kësaj vere.

