Të dielën, 19 korrik, Spanja përballet me Argjentinën, një sfidë që sjell përballë dy trajnerë me rrugëzim të veçantë: Luis De La Fuente dhe Lionel Scaloni. Të dy janë promovuar brenda federatave përkatëse dhe kanë arritur rezultate të rëndësishme në nivele të ndryshme, çka i ka vendosur në qendër të finales së këtij Botërori.
De La Fuente u konsolidua pas sukseseve me kombëtaret U19 dhe U21 të Spanjës dhe më pas konfirmoi veten te kombëtarja e parë, duke fituar një Nations League dhe një Kampionat Europian. Scaloni, pas një periudhe të shkurtër si asistent te Sevilla, nisi si zv/trajner dhe më pas mori drejtimin e kombëtares së Argjentinës, me të cilën fitoi dy Copa America dhe Botërorin 2022 në Katar. Interesant është fakti se në 2017 Scaloni ka qenë nxënës i De La Fuentes në kursin UEFA Pro, të organizuar nga Federata Spanjolle e Futbollit në Las Rozas.
Ky Botëror nxjerr në pah edhe dështimin e disa trajnerëve të profileve klubore. Thomas Tuchel u kritikua në Angli për qasjen taktike që përdori në pjesën e dytë të gjysmëfinales kundër Argjentinës; Carlo Ancelotti, i njohur për sukseset e shumta në klube të mëdha, u largua nga turneu me Brazilin e tij pas eleminimit nga Norvegjia në 1/8 të finaleve; ndërsa Julian Nagelsmann, ish-trajner i Leipzig dhe Bayern, u eliminua me Gjermaninë në 1/16 të finaleve nga Paraguaji. Këto raste ilustrojnë se suksesi në nivel klubesh nuk është domosdoshmërisht garanci për arritje në arenën ndërkombëtare.
Tradita e besimit te trajnerët me rrugëzim federativ nuk është e panjohur edhe në Itali. Emra si Enzo Bearzot, që kaloi nga U23 te kombëtarja dhe fitoi Botërorin e 1982, dhe Cesare Maldini, që filloi si asistent i Bearzot e më pas mori drejtimin e U21 dhe të kombëtares së madhe, tregojnë këtë rrugë. Pas periudhës së Sacchit, prirja ka qenë t’u besohet trajnerëve me përvojë në klube; shembujt e Marcello Lippit në 2006 dhe të Mancin në 2021 tregojnë suksese të mëdha, megjithatë dështimi i Italisë për herë të tretë në Botëror mund të nxisë reflektime të mëtejshme.

