Një 19-vjeçar shqiptar arratiset nga Qendra e Ndalimit të Emigracionit Campsfield në Oxfordshire, ka konfirmuar Ministria e Brendshme britanike, dhe autoritetet kanë nisur kërkimet për ta gjetur. Sipas Sky News, të cilës i referohet Top Channel, arratisja ndodhi më 14 korrik gjatë transferimit të të riut në spital nga qendra. Autoritetet bëjnë të ditur se i riu nuk konsiderohet rrezik për banorët.
Në një deklaratë zyrtare, një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme tha: “Mund të konfirmojmë se një person i ndaluar u arratis ndërsa ishte nën eskortë nga Qendra e Ndalimit të Imigracionit Campsfield më 14 korrik 2026. Ne kemi masa të forta për të gjurmuar dhe ndaluar personat që arratisen. Nuk do të ishte e përshtatshme të komentojmë më tej, pasi hetimet janë ende në zhvillim.”
Ngjarja ndodh më pak se një vit pas rihapjes së qendrës Campsfield, që u rikthye në funksion si pjesë e planit të qeverisë britanike për të zgjeruar kapacitetet e ndalimit të emigrantëve. Campsfield ishte mbyllur në vitin 2019 pas vitesh polemikash dhe incidenteve, përfshirë greva urie, raste vetëlëndimi dhe një vetëvrasje. Pas një rinovimi të plotë, objekti rifilloi funksionimin në vitin 2025 dhe përfshihet në strategjinë qeveritare për të rritur numrin e ndalimeve dhe largimeve të personave që nuk kanë të drejtë ligjore të qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar.
Ministria e Brendshme bën të ditur se që nga ardhja në pushtet e qeverisë aktuale janë larguar rreth 70 mijë persona nga Mbretëria e Bashkuar, dhe se numri i kthimeve dhe deportimeve ka arritur nivelin më të lartë në afro një dekadë. Lajmi është raportuar nga Top Channel, duke iu referuar Sky News.

