Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi nga Shtëpia e Bardhë se administrata e tij do të deklasifikojë dokumente të inteligjencës që, sipas tij, provojnë ndërhyrjen e Kinës në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe zbulojnë dobësi serioze në sistemin zgjedhor të Shteteve të Bashkuara. Gjatë deklaratës, ai riktheu pretendimet se zgjedhjet e vitit 2020, që i humbi ndaj Joe Biden, u manipuluan, duke e akuzuar Kinën për çfarë e quajti “hakerimin më të madh të të dhënave zgjedhore në histori”.
Sipas Trump, dokumentet që do të publikohen tregojnë se Kina ka siguruar në mënyrë të paligjshme të dhënat personale të rreth 220 milionë votuesve amerikanë, përfshirë emra, adresa, numra telefoni, preferenca politike dhe informacione të tjera të ndjeshme që lidhen me regjistrimin e votuesve. Ai pretendoi gjithashtu se Pekini kishte ngritur një njësi të posaçme për shfrytëzimin e këtyre të dhënave dhe se përpjekjet për të ndikuar në zgjedhjet amerikane kishin nisur që në vitin 2018.
Trump akuzoi përfaqësues të asaj që ai e quajti “shteti i thellë” dhe komunitetin amerikan të inteligjencës se kanë fshehur informacionet mbi ndërhyrjen e dyshuar kineze, duke mos ia bërë të ditura as presidentit dhe as publikut amerikan. Në fjalën e tij ai argumentoi se sistemi aktual zgjedhor është i cenueshëm dhe kërkoi reforma të thella për të garantuar integritetin e zgjedhjeve.
Ai kritikuar procesin e votimit me postë, duke e cilësuar atë “thelbësisht të korruptuar”, dhe bëri thirrje për kufizimin pothuajse të plotë të këtij procesi. Trump paralajmëroi gjithashtu se zgjedhjet e ardhshme të mesmandatit, që do të zhvillohen në nëntor, mbeten të rrezikuara nga mashtrimet nëse nuk ndërmerren ndryshime rrënjësore në sistemin zgjedhor amerikan.

