Një zjarrfikës vullnetar 18-vjeçar është vënë nën hetim formal në Francë, nën dyshim se ka shkaktuar zjarret e mëdha në pyllin Fontainebleau, në jug të Parisit. Zjarri ka përfshirë mbi 2,000 hektarë pyje, ka detyruar evakuimin e rreth 1,000 banorëve dhe ka shkaktuar mbylljen e pjesshme të autostradës kryesore veri-jug. Prokurorja Diane Ngomsik tha se i riu fillimisht deklaroi se kishte ndezur degë me çakmak dhe benzinë, por më pas tërhoqi rrëfimin e tij. Një 18-vjeçar tjetër po ashtu është vënë nën hetim. Kjo fazë e procedurës penale mund të çojë në ngritjen e akuzave formale dhe zhvillimin e një gjyqi.
Megjithëse flakët janë vënë nën kontroll, autoritetet njoftojnë se zjarri ende nuk është shuar plotësisht. Gjatë vizitës së tij në zonën e prekur, presidenti Emmanuel Macron deklaroi se nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj zjarrvënësve dhe vlerësoi punën e zjarrfikësve, duke theksuar se deri tani nuk është regjistruar asnjë viktimë. Sipas Macronit, rreth 10% e pyllit Fontainebleau është djegur.
Pylli i Fontainebleau, ku ndodhen Pallati dhe Parku i Fontainebleau—pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 1981—është një nga zonat natyrore dhe historike më të rëndësishme të Francës. Autoritetet franceze raportojnë se që nga fillimi i vitit janë regjistruar afro 11,000 zjarre në të gjithë vendin, ndërsa Franca, si shumë vende evropiane, po përballet me temperatura të larta dhe valë të pazakonta të të nxehtit.
Sipas shërbimit klimatik Copernicus, Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, me ritëm rreth dy herë më të lartë se mesatarja globale. Rritja e temperaturave po favorizon valë më intensive të të nxehtit, ushtron presion mbi burimet ujore dhe rrit shpeshtësinë e zjarreve pyjore. Verën e këtij viti, zjarre të mëdha janë regjistruar edhe në Spanjë, ku kanë humbur jetën të paktën 13 persona, si dhe në Skocinë verilindore, ku zjarrfikësit po luftojnë për të vënë nën kontroll një zjarr të përhapur në Parkun Kombëtar Cairngorms.

