Tre punonjëse të filialit të Postës Shqiptare në Durrës u arrestuan pas një operacioni policor për vjedhje dhe shpërdorim detyre, pasi dyshohen se kanë përvetësuar 69 milionë lekë të rinj të destinuar për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale. Operacioni me emërtimin “Filiali” u finalizua nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Durrës dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Në kuadër të këtij operacioni u ndaluan drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj, 41 vjeçe, shefja e financës, Valbona Hoti Duni, 59 vjeçe, dhe arkëtarja/llogaritareja Paola Dana, 39 vjeçe, të gjithë me banim në Durrës dhe me detyra në filialin e Postës Shqiptare Durrës. Ndalimi i tyre u krye në funksion të procedimit penal të regjistruar nga Prokuroria për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdorur detyrën”, të kryera në bashkëpunim.
Nga hetimet dyshohet se gjatë muajve prill dhe maj 2026 këto shtetase kanë përvetësuar shumën prej 69 milionë lekë të rinj, e cila ishte planifikuar të arkëtohej nga filial i Postës Shqiptare në Durrës për degët e Shijakut dhe Krujës, me qëllim shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e këtyre zonave. Njoftimi zyrtar thekson se shuma nuk është arkëtuar në arkën e degëve Shijak dhe Krujë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të skemës dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë janë në vijim. Materialet procedurale u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme. Policia dhe prokuroria po vijojnë punën për sqarimin e hollësishëm të ngjarjes dhe për të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore çdo individ që rezulton i përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

