Vllaznia u eliminua nga Liga e Konferencës pas një humbjeje të rëndë 5-0 në transfertë ndaj Malishevës në Kosovë. Pas fitores 2-1 në ndeshjen e parë në stadiumin “Loro Boriçi”, skuadra shkodrane shkoi në përballjen e kthimit me avantazhin minimal, por nuk arriti të përballonte presionin e vendasve. Malisheva nisi me ritëm të lartë dhe gjeti golin e avantazhit në minutën e 34, kur Uka shënoi pas disa rasteve të krijuara nga skuadra vendase. Në fundin e pjesës së parë, Ibishi dyfishoi shifrat në minutën e 45+2, duke çuar Vllazninë në dhomat e zhveshjes në një situatë shumë të vështirë. Në pjesën e dytë Malisheva nuk uli ritmin dhe vulosi gjithçka me dy gola të tjerë: Uka shënoi sërish në minutën e 52, ndërsa Veliu realizoi në minutën e 58 për ta çuar rezultatin në 4-0. Në fund të takimit Dulaj shënoi në minutën e 90, duke kompletuar fitoren 5-0 dhe kualifikimin për skuadrën kosovare. Gjatë gjithë përballjes Vllaznia nuk arriti të reagojë dhe u shfaq e pafuqishme si në aspektin ofensiv, ashtu edhe në mbrojtje, duke mos shfrytëzuar avantazhin e ndeshjes së parë. Kjo eliminim përbën një goditje të madhe për klubin shkodran, i cili largohet nga Europa pas një paraqitjeje që përshkruhet si zhgënjyese në ndeshjen vendimtare. Nga ana tjetër, Malisheva, nën drejtimin e ish-trajnerit të Vllaznisë Thomas Brdariç, feston një kualifikim të rëndësishëm. Rezultati përfundimtar i sfidës ishte Malisheva 5-0 Vllaznia, me golat e shënuar: 34’ Uka, 45+2’ Ibishi, 52’ Uka, 58’ Veliu dhe 90’ Dulaj.

