Një ndërtesë trekatëshe u shemb të martën në mbrëmje në qytetin Benetússer, pranë Valencias, në Spanjë. Fatmirësisht nuk pati të lënduar, pasi banorët ishin evakuuar vetëm pak minuta përpara shembjes, pasi kishin vënë re çarje në mure dhe kishin dëgjuar zhurma të pazakonta.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Valencias, alarmi u dha rreth orës 22:01 nga banorët e rrugës Las Américas, të cilët raportuan çarje në ndërtesë dhe tinguj që ngritën dyshime për rrezik shembjeje. Kur ekipet e zjarrfikësve dhe drejtuesit e Shërbimit të Zjarrfikës mbërritën në vendngjarje, banorët tashmë e kishin braktisur ndërtesën. Pas krijimit të një perimetri sigurie, godina u shemb plotësisht vetëm pak minuta më vonë.
El País raporton se ndërtesa përbëhej nga një kat përdhes dhe tre kate banimi, me nga një apartament në secilin kat, dhe ndodhej pranë një parcele ku po zhvilloheshin punime ndërtimi për një godinë tjetër. Autoritetet konfirmuan se askush nuk mbeti i bllokuar nën rrënoja dhe nuk pati të lënduar.
Si masë parandaluese u evakuua edhe një ndërtesë tjetër pranë vendit të ngjarjes, në pritje të inspektimeve nga teknikët e Bashkisë së Benetússerit. Zjarrfikësit po bashkëpunojnë me autoritetet lokale, si edhe me kompanitë e furnizimit me gaz dhe energji elektrike, për të garantuar sigurinë në zonë.
Shkaqet e shembjes mbeten nën hetim. Mediat lokale raportojnë se pranë ndërtesës po zhvilloheshin punime ndërtimi, por nuk është konfirmuar ende nëse ato kanë lidhje me incidentin. Në vendngjarje u krijua perimetri i sigurisë dhe po vazhdojnë verifikimet nga ekipet e emergjencave dhe nga inspektorët e bashkisë për të përcaktuar shkakun dhe për të vlerësuar rreziqet e mëtejshme në zonë.

