Federata Kroate e Futbollit (HNS) i ka dërguar FIFA-s një letër zyrtare, duke kërkuar sqarime për disa vendime të arbitrit dhe të sistemit VAR gjatë humbjes së Kroacisë ndaj Portugalisë në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës. Sipas gazetës kroate Sportske, letra u dërgua një ditë pas ndeshjes dhe përqendrohet te disa momente kyçe, kryesisht goli i anuluar i Josko Gvardiolit në minutat shtesë, i cili do t’i kishte dhënë Kroacisë barazimin dhe do ta çonte ndeshjen në kohën shtesë.
HNS shpreh pakënaqësi edhe për penalltinë e akorduar në favor të Portugalisë pas ndërhyrjes së VAR-it. Federata argumenton se arbitri ishte në një pozicion shumë të mirë për të vlerësuar aksionin dhe që në fillim nuk e kishte konsideruar si penallti; për këtë arsye, sipas HNS, rasti nuk përmbush kriteret e një “gabimi të qartë dhe evident” që të justifikonte ndërhyrjen e VAR-it. Federata nënvizon se arbitri duhej të ishte ftuar për ta rishikuar vetë incidentin në monitor.
Një tjetër pikë kontesti është anulimi i golit të Gvardiolit për pozicion jashtë loje, pas sinjalizimit të një prekjeje minimale të topit nga Matanoviç, e regjistruar nga teknologjia e sensorit të integruar në topin zyrtar të Botërorit. HNS citon interpretimin e FIFA-s për rregullin e pozicionit jashtë loje, sipas të cilit edhe flokët mund të konsiderohen pjesë e trupit vetëm nëse ndikojnë realisht në lëvizjen ose trajektoren e topit, dhe kjo vlen vetëm në raste të qarta.
Në letrën e saj, Federata thotë: “Ne e konsiderojmë thellësisht të gabuar që një dridhje pothuajse e padukshme, e regjistruar nga një sensor, mund të vendosë rezultatin e një ndeshjeje kaq të rëndësishme”. Kroacia thekson se qëllimi i kërkesës nuk është vetëm rishikimi i rasteve të kësaj ndeshjeje, por edhe parandalimi i situatave të ngjashme dhe padrejtësive në të ardhmen.
Lajmi u transmetua nga Top Channel.

