Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar dy apartamente dhe një garazh në pronësi të shtetasit me iniciale A.A., i dënuar me 10 vite burg për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike. Masa është marrë në kuadër të një procedimi pasuror nr.02, të vitit 2026, me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Hetimet kanë nxjerrë në pah se të ardhurat e deklaruara nga A.A. dhe familjarët e tij nuk justifikonin investimet e kryera në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme. Sipas Prokurorisë, ekspertiza kontabël evidento i një disproporcion të dukshëm mes pasurive të zotëruara dhe burimeve të ligjshme financiare, duke krijuar dyshime se ato janë përfituar nga veprimtaria kriminale. Në aktin e ekspertimit kontabël dhe në dokumentacionin e administruar konkludohet se pasuritë e identifikuara plotësojnë kriteret e parashikuara nga nenet 11 dhe 24 të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009, për sekuestrimin dhe/ose konfiskimin e tyre, për shkak të disproporcionit me të ardhurat e ligjshme të deklaruara.
Prokuroria bën të ditur se nga hetimet rezulton se shtetasi A.A. ka qenë në pamundësi financiare për të kryer investimet në prona dhe se, sipas konkluzioneve të hetimit pasuror, ky shtetas ka qenë i përfshirë në veprimtarinë kriminale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, të parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal. Si pasojë e kësaj veprimtarie janë krijuar pasuri shpërpjestimore në raport me nivelin e të ardhurave apo fitimeve të ligjshme të deklaruara.
Në zbatim të vendimit të Prokurorisë u sekuestruan: një apartament 1+1 me sipërfaqe 66.33 m² dhe verandë 44 m² në kompleksin multifunksional në Rrugën “Xhanfize Keko”; dhe një apartament 2+1 me sipërfaqe 87.9 m² së bashku me një garazh 16 m² në katin -2 të kompleksit multifunksional që po ndërtohet në Rrugën “Kahreman Ylli”. Burimi i njoftimit: Top Channel.

