FIFA ka zyrtarizuar arbitrat për gjysmëfinalen e Kupës së Botës mes Anglisë dhe Argjentinës, me Ismail Elfath si gjyqtar kryesor. Elfath, i lindur në Marok dhe i rritur në Shtetet e Bashkuara, ishte arbitri i katërt në finalen e Botërorit 2022 midis Argjentinës dhe Francës, të fituar nga Argjentina pas penalltive. Ai njihet gjithashtu nga Lionel Messi, pasi ka gjykuar katër ndeshje të Messit në Major League Soccer ku skuadra e tij ka dalë fituese në të gjitha rastet.
Emërimi i Elfath vjen ndërkohë që arbitrimi ndaj Argjentinës ka qenë objekt polemikash gjatë këtij turneu. Kundërshtime janë shfaqur pas ndeshjeve të Argjentinës me Egjiptin në 1/8-at dhe me Zvicrën në çerekfinale, me akuza për favorizim të kampionëve në fuqi. Federata Egjiptiane e Futbollit depozitoi një ankesë zyrtare në FIFA, duke kërkuar përjashtimin e arbitrave të asaj ndeshjeje për vendime të diskutueshme. Edhe futbollistë zviceranë kritikuan ashpër vendimet e gjyqtarit pas eliminimit të tyre; mbrojtësi Manuel Akanji deklaroi se skuadra e tij ishte penalizuar vazhdimisht, duke e cilësuar atë si një nga ndeshjet më të njëanshme që kishte përjetuar. Në rrjetet sociale, tifozët anglezë kanë shprehur shqetësime për arbitrimin, duke pretenduar se Argjentina përfitoi nga disa vendime gjatë turneut.
Në gjysmëfinale, Elfath do të asistohen nga amerikanët Corey Parker dhe Kyle Atkins. Italiani Maurizio Mariani është emëruar arbitër i katërt, ndërsa Daniele Bindoni do të jetë arbitër rezervë.
Elfath ka një histori personale të veçantë në futboll: ka nisur karrierën si sulmues në SHBA, por u orientua drejt arbitrimit pasi ishte i pakënaqur me nivelin e gjykimit në ndeshjet ku luante. Paralelisht ka punuar në sektorin e teknologjisë së informacionit para se të përkushtohej plotësisht ndaj arbitrimit. Sot konsiderohet si një nga gjyqtarët më të vlerësuar në arenën ndërkombëtare. Burimi: Top Channel.

