Gjatë muajit qershor dhe dy javëve të para të korrikut 2026, 29 persona janë arrestuar ose proceduar penalisht, të dyshuar për zjarrvënie në zona të ndryshme të vendit. Policia e Shtetit njofton se vijojnë kontrollet dhe hetimet në terren për identifikimin dhe kapjen e personave që ndezin ose tentojnë të ndezin zjarre, duke shkaktuar dëme në sipërfaqe toke, bimësi, pemëtari, prona, si dhe rrezik për jetën e qytetarëve.
Gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë dy persona dhe është proceduar penalisht një tjetër, të dyshuar për tre zjarrvënie në Kavajë, Vorë dhe Mallakastër. Si rezultat i hetimeve të shpejta dhe veprimeve operacionale, u identifikuan tre autorë të dyshuar: në Kavajë u arrestua S. Ç., 51 vjeç, banues në fshatin Sterbeg, që dyshohet se ndezi zjarre në pronën e tij, ku u dëmtuan kullota dhe 300 pemë agrumesh e ullinjsh; në Vorë u arrestua A. D., 43 vjeç, banues në fshatin Gjokaj, i dyshuar se ndezi zjarre në një sipërfaqe toke në pronësi të një shtetasi tjetër, me djegie të një parcele të mbjellë me dru frutorë; në Mallakastër materialet proceduar në Prokurori përfshijnë shtetasin O. B., 39 vjeç, banues në Levan, i cili gjatë tërheqjes me karrotrecin e një automjeti të aksidentuar dyshohet se ka shkaktuar shkëndija elektrike që përhapën zjarrin dhe dogjën dhjetëra pemë arre në fshatin Romës.
Materialet procedurale janë referuar prokurorive kompetente për veprime të mëtejshme. Policia apelon qytetarët, fermerët dhe pronarët e kullotave që në asnjë rrethanë të mos ndezin zjarr, duke theksuar se djegia e mbetjeve në toka bujqësore ose kullota është praktikë e gabuar dhe penalisht e ndëshkueshme, pasi rrezikon përhapjen e pakontrolluar të flakëve dhe dëmton pronën, shëndetin dhe jetën. Policia fton qytetarët të denoncojnë menjëherë çdo person që tenton të kryejë zjarrvënie, duke garantuar anonimitet të sigurt, reagim të menjëhershëm dhe veprim në përputhje me ligjin.

