Raportimet nga Arabia Saudite bëjnë me dije se Al Nassr po përballet me një situatë të vështirë financiare, ku borxhet po rriten dhe shpenzimet e klubit kanë tejkaluar ndjeshëm të ardhurat. Sipas Tuttomercatoweb, duke iu referuar gazetës sportive saudite Arriyadiyah, problemet kanë prekur edhe lojtarët, të cilët dyshohet se po përballen me vonesa në pagesa ose me rishikime të pagave. Një tregues tjetër i vështirësive është merkatoja e bllokuar: Marcelo Brozovic u largua këtë verë me parametra zero dhe ende nuk është zëvendësuar.
Klubi ka reaguar duke e paraqitur situatën si një proces ristrukturimi financiar, me një politikë më të kujdesshme dhe një shpërndarje ndryshe të buxhetit për sezonin e ri. Megjithatë, Arriyadiyah raporton se Al Nassr ende nuk ka paraqitur garancitë e nevojshme financiare pranë autoriteteve përkatëse, gjë që mund ta pengojë klubin të bëjë angazhime të reja financiare për transferime apo kontrata të tjera.
Nëse kriza nuk përmirësohet shpejt dhe thellohet, nuk përjashtohet nevoja për rishikimin e disa kontratave të mëdha. Largimi i Cristiano Ronaldos konsiderohet i mundshëm nëse situata bëhet e padepërtueshme, por shansi i një largimi të tij vlerësohet kompleks. Problemi kryesor nuk është mosha e portugezit, por paga e tij kolosale—e cila raportohet të jetë rreth 200 milionë euro në vit—si dhe roli i tij si figurë globale dhe ambasador i projektit sportiv saudit, sidomos në prag të Kupës së Botës 2034. Një ndarje me Ronaldon do të konsiderohej një goditje e madhe për imazhin e klubit dhe futbollin saudit.
Përveç Ronaldos, në skuadër gjenden edhe emra të mëdhenj si Sadio Mane, Mohamed Simakan, Kingsley Coman, Inigo Martinez dhe Joao Felix. Në rast të një krize të zgjatur, mbetet të shihet nëse ndonjëri prej tyre do të rikthehet në Evropë për një aventurë tjetër në futbollin elitar.

