Presidenti i zgjedhur i Kolumbisë, Abelardo de la Esperanza, njoftoi se ceremonia e inaugurimit të tij, e planifikuar për 7 gusht, do të zhvillohet në një bazë ushtarake në jug të vendit, duke sfiduar vendimin e presidentit në largim Gustavo Petro, i cili kishte urdhëruar që asnjë bazë ushtarake të mos përdoret për transferimin e pushtetit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, de la Esperanza tha se dëshiron të bëjë betimin “në një kamp ushtarak në jug të vendit, për t’u bërë homazh heronjve të atdheut dhe ushtarëve që mbrojnë demokracinë, lirinë dhe institucionet”.
Sipas legjislacionit kolumbian, betimi presidentit duhet të bëhet para Kongresit në kryeqytetin Bogota, por presidenti i zgjedhur u ka bërë thirrje deputetëve të parlamentit të ri, i cili pritet të mblidhet më 20 korrik, të miratojnë zhvillimin e ceremonisë në bazën ushtarake të përzgjedhur. Vendndodha e bazës nuk është bërë publike dhe ekspertët e juristët paralajmërojnë vështirësi logjistike, pasi të gjithë anëtarët e Kongresit do të duhet të udhëtojnë drejt saj.
De la Esperanza, avokat dhe biznesmen milioner, është një figurë e re në politikë dhe ka premtuar një qasje të ashpër ndaj grupeve të armatosura, duke kërkuar intensifikim të menjëhershëm të operacioneve ushtarake kundër tyre. Ai gjithashtu ka deklaruar se synon një ceremoni inaugurimi “modeste”, pa shpenzime të tepërta, në përputhje me programin e tij për uljen e kostove të administratës shtetërore.
Tensionet politike mbeten të larta: presidenti në largim Gustavo Petro pretendon se disponon prova për parregullsi në raundin e dytë të zgjedhjeve, të cilat de la Esperanza i fitoi me një diferencë të ngushtë. Petro ka bërë thirrje për protesta masive më 20 korrik, Ditën Kombëtare të Kolumbisë. Si komandant suprem i forcave të armatosura deri në përfundim të mandatit, Petro ka urdhëruar që asnjë oficer të mos i bëjë nderime ushtarake një qytetari, përveç kreut të shtetit në detyrë, duke theksuar përplasjen institucionale midis palëve.

