Koment nga Timoni.al
Të gjithë e njohim deputetin e PS-së, Taulant Balla. Një politikan që nuk ka kursyer kurrë luksin, qokat dhe privilegjet. Ora që mban në dorë kushton më shumë se paga vjetore e shumë punonjësve të RTSH-së, ndërsa pasioni për jetën luksoze nuk është fshehur asnjëherë.
Por sot kemi disa pyetje të thjeshta për Taulant Ballën.
Ku ishe ti kur kolegu yt, Alfred Peza, i shkaktoi RTSH-së një dëm financiar prej rreth 4 milionë eurosh? Pse nuk e ngrite zërin nga foltorja e Kuvendit? Pse nuk kërkove përgjegjësi? Apo heshtja ishte më e leverdishme?
Përse nuk flet për punësimet me ndikim politik dhe favoret që bëhen për interesa personale? Pse ndërhyrjet e deputetëve në RTSH nuk i quan problem, por i konsideron normale?
RTSH nuk ka dështuar nga punonjësit e tij. RTSH është dëmtuar ndër vite nga ndërhyrjet politike, nga emërimet klienteliste dhe nga njerëz që e kanë trajtuar këtë institucion si pronë partie. Dhe sa herë politika fut duart në RTSH, humb institucioni dhe humbin qytetarët.
Në vend që të kërkosh forcimin e RTSH-së, rritjen e pagave të punonjësve, garantimin e pavarësisë editoriale dhe ndalimin e emërimeve politike, zgjedh të merresh me interesa që nuk kanë lidhje me publikun.
Pse nuk kërkon kushte më të mira pune për punonjësit? Pse nuk kërkon që të ndalen ndërhyrjet e deputetëve në administratë? Pse nuk flet për problemet reale të institucionit, por vetëm kur preken interesat e njerëzve të afërt?
Qytetarët presin nga një deputet të mbrojë interesin publik, jo interesat personale apo të rrethit të tij.
Dhe në fund, një mesazh për ty, Tao: mos u mërzit që njeriut tënd nuk iu plotësua dëshira për t’u bërë drejtor në RTSH. Institucionet publike nuk duhet të jenë vende ku shpërblehen miqtë e politikës, por institucione që u shërbejnë qytetarëve.

