Një incident sigurie u regjistrua ditën e sotme në Gjirin e Adenit, një nga korridoret kryesore të transportit detar ndërkombëtar. Sipas një njoftimi nga Operacionet e Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO), kapiteni i një cisternë raportoi se gjashtë motoskafë iu afruan në mënyrë të dyshimtë gjatë tranzitit. Një nga këta motoskafë iu afrua deri në rreth 900 metra në anën e djathtë të anijes. Ekipi i armatosur i sigurisë në bord (AST) përdori të shtëna paralajmëruese, të cilat detyruan mjetin të tërhiqej, ndërsa pesë motoskafët e tjerë qëndruan rreth një milje detare pa përshkallëzim të mëtejshëm.
Autoritetet kanë nisur hetimet për incidentin. Deri më tani nuk janë raportuar të lënduar apo dëme materiale në anije. Kompania EOS Marine ka vlerësuar raportimin si shumë të besueshëm dhe ka bërë thirrje që të gjitha anijet tregtare që operojnë në zonë të ruajnë nivel të lartë gatishmërie. Mes rekomandimeve për kapitenët janë mbikëqyrja e vazhdueshme vizuale dhe elektronike, raportimi i menjëhershëm i çdo aktiviteti të dyshimtë te autoritetet rajonale, si dhe gatishmëria e plotë e ekipeve të armatosura të sigurisë në bord.
Incidenti ndodh në një periudhë të tensioneve të shtuar gjeopolitike në Lindjen e Mesme, ndërsa kompanitë e transportit detar monitorojnë nga afër zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë e lundrimit. Autoritetet vënë në dukje se në Gjirin e Adenit lundrojnë shpesh mjete të vogla peshkimi dhe anije lokale, por theksojnë se çdo afrim i dyshimtë duhet trajtuar me kujdes maksimal, pasi dallimi mes aktivitetit normal detar dhe një kërcënimi të mundshëm nuk është gjithmonë i qartë.
Hetimet janë në vazhdim dhe komuniteti detar është këshilluar për vigjilencë të shtuar dhe për raportim të shpejtë të çdo incidenti apo sjelljeje të pazakontë në rajon.

