Më shumë se 10 mijë vdekje shtesë shkaktoi vala rekord e të nxehtit që goditi Europën Perëndimore në fund të qershorit, sipas të dhënave zyrtare. Rrjeti EuroMOMO, i mbështetur nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), raporton se mbi 9 mijë nga këto viktima ishin persona të moshës 65 vjeç e më shumë.
Temperaturat ekstreme mund të shkaktojnë goditje nga nxehtësia dhe të përkeqësojnë sëmundjet kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes, ndërsa të moshuarit mbeten grupi më i rrezikuar. “Të regjistrosh një numër kaq të lartë vdekjesh shtesë në këtë periudhë të vitit është e pazakontë. Është shumë e vështirë që kjo rritje e vdekshmërisë të shpjegohet me ndonjë faktor tjetër përveç nxehtësisë ekstreme”, deklaroi Lasse Vestergaard, mjek kryesor në Institutin Statens Serum të Danimarkës, i cili koordinon rrjetin EuroMOMO.
Shkencëtarët vlerësojnë se vala e të nxehtit në fund të qershorit do të kishte qenë “pothuajse e pamundur” pa ndikimin e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor. Vala e të nxehtit pritet të vazhdojë në shumë rajone të Evropës për disa ditë, përpara se rreth datave 19-20 korrik 2026 të ketë një ulje të temperaturave dhe të shfaqen stuhi të mundshme.
Derisa të ndodh kjo ndryshim, pjesë të kontinentit do të vazhdojnë të preken nga temperatura ekstreme gjatë ditës dhe nga të ashtuquajturat “netë tropikale”, kur temperaturat gjatë natës mbeten mbi 20 gradë Celsius. Përkeqësimi i kushteve të nxehtësisë dhe vazhdimësia e saj në periudha të gjata vendosin presion të shtuar mbi sistemet e kujdesit shëndetësor dhe mbi grupet më të rrezikuara, sidomos të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

