Gjykata e Durrësit ka konfirmuar masat e sigurisë të vendosura më parë ndaj personave të përfshirë në hetimin për tjetërsimin e pronave në zonën bregdetare të Durrësit. Gjyqtari i seancës vendosi vijimin e masës “Arrest në shtëpi” për Shaqir Sheshin, Arianit Matajn dhe Besnik Xhafën, të cilët dyshohen për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”.
Po ashtu, gjykata la në fuqi masën “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Fiqeret Xhafës, i dyshuar për “Mashtrim”, “Falsifikim të dokumenteve” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Me të njëjtën masë sigurie do të vazhdojnë hetimet edhe për Jonida Mergejen, Leandro Dervishin dhe Artur Çobanin, të tre punonjës të Kadastrës së Durrësit, të dyshuar për shkelje të detyrës, konkretisht për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Hetimi për çështjen ka nisur në vitin 2022. Në kuadër të procedimit penal, Prokuroria e Durrësit ka vendosur sekuestron preventive mbi 13 parcela toke, të cilat dyshohen se janë përfshirë në skemën e tjetërsimit të paligjshëm të pronave në zonën bregdetare.
Nga masat e sigurisë të vendosura në mungesë, disa mbeten ende të paekzekutuara. Saktësisht, nuk janë ekzekutuar masat “Arrest në burg” për katër persona: tre prej tyre janë ish-zyrtarë të Kadastrës, ndërsa i katërti është një përfitues i dyshuar nga skema. Po ashtu, mbetet e paekzekutuar edhe një masë “Arrest në shtëpi”, e caktuar ndaj një tjetër personi të dyshuar si përfitues në këtë çështje.
Vendimet e gjykatës përcaktojnë vijimin e procedimit ndaj të pandehurve dhe ruajtjen e masave të sigurisë të shpallura më parë, ndërsa hetimi dhe procedurat lidhur me sekuestron e pasurive dhe ekzekutimin e masave të tjera vazhdojnë.

