Vala e zjarreve që ka përfshirë disa qytete dhe rajone të Evropës vazhdon, dhe këtë herë flakët kanë kapluar pyllin e Fontainebleau, në juglindje të Parisit, Francë. Autoritetet kanë përshkruar zjarrin si “me përmasa të jashtëzakonshme” dhe kanë angazhuar një numër rekord forcash zjarrfikëse në rajonin Ile-de-France për të përballuar situatën.
Për shkak të përmasave të zjarrit, trafiku hekurudhor në zonë u ndalua, ndërsa një re e dendur tymi ishte e dukshme deri në 20 kilometra larg, duke dëshmuar intensitetin e flakëve dhe ndikimin në zonat përreth. Në operacionin e shuarjes janë angazhuar rreth 400 zjarrfikës, ndërsa në përpjekjet për të frenuar përhapjen e zjarrit morën pjesë edhe fermerë dhe bujq të zonës. Ata përdorën traktorë të pajisur me cisterna uji për t’i ardhur në ndihmë forcave zjarrfikëse dhe për të parandaluar avancimin e flakëve në teritorë të tjera.
Sipas bilancit paraprak, rreth 800 hektarë të pyllit të Fontainebleau janë shkrumbuar nga zjarri. Autoritetet vazhdojnë punën për të vënë situatën nën kontroll dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve, duke mobilizuar burime dhe duke monitoruar zonën e prekur. Situata mbetet serioze për shkak të përmasave të zjarrit dhe ndikimit të tymit në trafikun hekurudhor dhe zonat përreth, ndërsa operacionet e fikjes dhe masat për të ndaluar përhapjen vijojnë.

