Nëna e njërës prej 15-vjeçareve të përfshira në dhunimin e një 17-vjeçareje në Fier foli para ambienteve të Gjykatës së Fierit, ku pritet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj tre vajzave të dyshuara. Ajo deklaroi se vajza e saj është e shtruar në spital psikiatrik dhe po merr trajtim mjekësor, duke përsëritur qëndrimet që kishte shprehur më herët për Top Channel dhe duke kërkuar mirëkuptim për gjendjen e të miturës. Ajo tha se është e shqetësuar pasi nuk di asgjë për diagnozën dhe trajtimin e vajzës, që e ka takuar dy herë në spital dhe e ka parë në gjendje jo të mirë. Po ashtu shprehu dyshime nëse vajza është në dijeni të pamjeve që kanë qarkulluar.
Nëna tha se shqetësimi ndaj sjelljes së vajzës ishte i hershëm, që kur ajo ishte nxënëse në një shkollë 9-vjeçare shtetërore disa muaj më parë. Sipas saj, familja kërkoi ndihmën e shkollës dhe psikologes, por u përzunë; më pas iu drejtuan zyrës arsimore Fier dhe menduan ta regjistronin në një shkollë private, por vajza nuk shkoi atje për shkak të bullizmit. Ajo tha se nuk njihte shoqet e vajzës dhe prindërit e tyre, i pa për herë të parë në polici, dhe se nuk njihte prindin e vajzës së dhunuar. Sqaroi gjithashtu se nuk ka marrë avokat për vajzën dhe se gjatë vitit të fundit kanë shkuar disa herë në polici dhe në shkollë; sipas saj, drejtoresha e shkollës i ka nxjerrë jashtë zyrës kur u ankuan për problemet e vajzës. Ajo kërkoi kurim të plotë për të miturën dhe tha se e ka kërkuar këtë edhe në gjykatë.
Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier para trupit gjykues iu paraqitën tre vajzat e përfshira. Mes tyre është 19-vjeçarja Lionela Lamaj dhe dy 15-vjeçare, të cilat do të verifikohen për kushtet dhe kriteret e vijimit të masave të sigurisë. Lionela Lamaj u arrestua me kërkesë të Prokurorisë, nën dyshimin për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, e kryer në bashkëpunim; dy të miturat janë nën hetim në kuadër të të njëjtit procedim penal. Lionela përfaqësohet në seancë nga avokatja Arvenola Dorë. Top Channel.

