Departamenti i Drejtësisë i SHBA po përballet me një sfidë të pazakontë në luftën kundër trafikut të drogës pas identifikimit të një shtetasi amerikan si udhëheqës të Kartelit të Gjeneratës së Re të Jalisco-s (CJNG). Bëhet fjalë për 41-vjeçarin Juan Carlos Valencia, i njohur me nofkën “El 03”, i lindur më 12 shtator 1984 në Santa Ana të Kalifornisë. Autoritetet amerikane e konsiderojnë atë pasardhësin e Nemesio Oseguera Cervantes, “El Mencho”, i cili u vra gjatë një operacioni në Meksikë më 22 shkurt.
Pas vdekjes së “El Mencho”, SHBA-ja e ka identifikuar zyrtarisht Valencian si drejtuesin e ri të CJNG-së dhe ka shpallur një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për informacione që çojnë në arrestimin e tij. Valencia vjen nga një familje me lidhje të forta me botën e krimit: ai është djali i Armando Valencia Cornelio, themeluesit të Kartelit Milenio, ndërsa nëna e tij, Rosalinda González Valencia, konsiderohet një figurë kyçe në strukturën e CJNG-së. Më vonë ai u rrit nën ndikimin e “El Mencho”, i cili u bë partner i nënës së tij.
Faktori i shtetësisë së tij të dyfishtë, amerikane dhe meksikane, ka krijuar një problem ligjor për autoritetet amerikane, pasi sipas ligjit të SHBA-së operacionet ushtarake që mund të rrezikojnë jetën e një qytetari amerikan janë të kufizuara. Kjo e bën më të ndërlikuar ndjekjen dhe ndjekjen penale të tij. Si një zgjidhje e mundshme raportohet që shërbimet amerikane të inteligjencës të mbledhin informacionet dhe t’ua kalojnë autoriteteve meksikane, të cilat më pas do të kryenin operacionin për arrestimin.
Ekspertët theksojnë se nuk dihet nëse “El 03” ka marrë kontrollin e plotë të kartelit, pasi brenda CJNG-së raportohet për rivalitete dhe ndarje të pushtetit. Megjithatë, fakti që SHBA-ja e ka shpallur atë objektivin kryesor tregon se Uashingtoni e konsideron tani kundërshtarin më të rrezikshëm në luftën kundër një prej kartelëve më të fuqishëm të drogës në botë.

